SHBA: Marrëdhënia me Indinë, partneriteti përcaktues i shekullit 21! Modi ecën përkrah Putinit dhe Xi-së në samitin e Kinës

01/09/2025 10:22

Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar partneritetin me Indinë si një nga marrëdhëniet më të rëndësishme globale të këtij shekulli, duke theksuar se bashkëpunimi mes dy vendeve “po arrin nivele të reja”.

Përmes një deklarate të ambasadës amerikane në Nju Delhi, Uashingtoni vlerëson forcimin e lidhjeve me Indinë në fusha të ndryshme strategjike, në një kohë kur peizazhi ndërkombëtar po bëhet gjithnjë e më kompleks.

Deklarata vjen ndërsa kryeministri indian Narendra Modi u pa duke ecur përkrah presidentit rus Vladimir Putin në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), Kinë. Dy liderët më pas iu bashkuan presidentit kinez, Xi Jinping, duke dhënë një mesazh të fortë simbolik për unitetin rajonal.

Pavarësisht lidhjeve në rritje me SHBA-në, India vazhdon të mbajë marrëdhënie të ngushta ekonomike me Rusinë, veçanërisht në sektorin energjetik. Së bashku me Kinën, India është një nga blerësit më të mëdhenj të naftës ruse, një çështje që ka ngritur shqetësim në Perëndim.

Presidenti amerikan Donald Trump kishte vendosur tarifa shtesë ndaj Indisë për shkak të blerjeve të vazhdueshme të naftës ruse, por deri më tani nuk ka asnjë shenjë që Nju Delhi apo Pekini do të ndalojnë këto importe, që konsiderohen kyçe për ekonomitë e tyre.

Megjithatë, zyrtarët amerikanë shprehen se ndonëse India ndjek një politikë të jashtme të pavarur, partneriteti strategjik me SHBA-të mbetet i fortë dhe në rritje.

Top Channel