
Monika Kryemadhi, u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), në kuadër të masës së “detyrimit për t’u paraqitur”.
Në një prononcim për gazetarët, ajo bëri batutë ku tha se i kanë thënë që të mos paraqitet më se ‘kush të duron ty’.
“Unë nuk vij mo…Më thanë mos hajde mo se kush të duron ty…”, tha Kryemadhi.
Kryemadhi deklaroi se ndaj saj dhe të afërmve të saj po zhvillohen hetime të padrejta, duke theksuar se nuk ekzistojnë prova apo dëshmi që e implikojnë atë ose ish-presidentin Ilir Meta. Ajo theksoi se shumë prej dëshmitarëve janë intimiduar gjatë procesit hetimor.
“Deri tani janë thirrur mbi 100 persona si dëshmitarë dhe asnjëri prej tyre nuk ka dhënë ndonjë deklaratë që më implikon mua, zotin Meta apo të tjerë. Çudia është se sipas SPAK, vepra penale që më ngarkohet mua dhe nënës time lidhet me një kredi të marrë në vitin 2010, e cila është shlyer brenda një periudhe 4-5 vjet nga ana ime dhe për vetëm 9 muaj nga mamaja ime, përmes të ardhurave të tjera të ligjshme“, u shpreh ajo.
Ajo ngriti akuza për shpërdorim detyre dhe tejkalim kompetencash nga ana e prokurorisë, duke pretenduar se janë përdorur praktika intimidimi ndaj bizneseve dhe dëshmitarëve që kanë pasur lidhje me çështjen.
“Do të kërkoj thirrjen e disa dëshmitarëve të tjerë, përfshirë edhe kushëririn tim nga Amerika. Prokurori ka thënë se nuk është marrë në pyetje sepse nuk ka ardhur në Shqipëri, por njësoj siç ka marrë në pyetje lobistin McKeon, mund ta kishte bërë edhe me të”, tha ajo.
Në përfundim, Kryemadhi deklaroi se, ashtu si Ilir Meta, nuk do të kërkojë gjykim të shkurtuar, duke lënë të kuptohet se do të përballet me procesin deri në fund për të provuar pafajësinë e saj.
Top Channel