
Dy javë pas takimit mes Donald Trump dhe Vladimir Putin në Alaskë, presidenti amerikan po jep sinjale të qarta se një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës mund të mos jetë më prioritet i tij.
Në një intervistë për median konservatore Daily Caller, Trump tha se “është e mundur që ata (rusët dhe ukrainasit) duhet të luftojnë edhe pak… të vazhdojnë këtë luftë të marrë”, duke e cilësuar momentin aktual si të papërshtatshëm për negociata.
Nga entuziazmi në zhgënjim
Vetëm pak ditë më parë, Trump kishte shpallur nismën e tij për një takim dypalësh mes Putin dhe Zelensky, si vazhdim i një samiti të zhvilluar më 18 gusht me pjesëmarrjen e liderëve evropianë. Por që prej asaj kohe, qëndrimi i tij ka ndryshuar ndjeshëm.
Në fillim të javës, ai u shpreh se “duhen dy për të kërcyer tango”, ndërsa të martën, në një mbledhje me kabinetin, nuk fshehu nervozizmin: “Gjithçka është teatër… vetëm budallallëqe”. Ndërkohë, pas një sulmi të përgjakshëm rus që la 25 të vrarë, përfshirë 4 fëmijë dhe goditi edhe zyrat e delegacionit të BE-së në Ukrainë, zëdhënësja e tij, Karoline Leavitt, tha se “Presidenti nuk është i kënaqur me këto zhvillime, por as i befasuar”.
Mundësi për një takim mes liderëve?
Në të njëjtën intervistë të së premtes, Trump hodhi idenë se një takim trilateral mes tij, Putin dhe Zelensky mund të jetë ende i realizueshëm. “Ndonjëherë njerëzit thjesht nuk janë gati“, tha ai, duke krahasuar situatën me dy fëmijë që zihen në një park lojërash: “Në fillim nuk duan të ndalen, por pas pak lodhen dhe pranojnë të ndalen”.
A do të tërhiqet Trump?
Në prapaskenë, administrata amerikane po shqyrton seriozisht mundësinë e tërheqjes nga roli i ndërmjetësuesit, për shkak të mungesës së përparimit dhe përplasjeve me aleatët evropianë. Sanksione dytësore apo tarifa tregtare masive janë gjithashtu në tryezë, si “plan B”, nëse Rusia nuk shfaq vullnet për paqe.
Sipas CNN dhe Axios, Trump po konsideron që thjesht “të rrijë mënjanë” dhe të mos ndërhyjë më, derisa palët të tregojnë “më shumë fleksibilitet”. Por një afat i qartë nuk është vendosur. Edhe pse më 22 gusht ai tha se do të marrë një vendim brenda “dy javësh”, kjo nuk është hera e parë që përdor një afat të tillë pa ndjekur ndonjë veprim konkret më pas.
“Do të vendosim nëse do të ketë sanksione, tarifa doganore, ose nuk do të bëjmë asgjë dhe thjesht do të themi: kjo është beteja juaj,” deklaroi Trump.
Trump fajëson disa vende evropiane për dështimin e negociatave
Sipas burimeve të Axios, disa nga këshilltarët e Trump në Shtëpinë e Bardhë fajësojnë liderët evropianë, jo Putinin, për dështimin e përpjekjeve të paqes. Ata pretendojnë se disa vende të BE-së fshehurazi kanë minuar negociatat, duke inkurajuar Zelensky-n të ketë pritshmëri jorealiste për çështjen territoriale dhe të shpresojë për një marrëveshje më të favorshme më vonë.
Një zyrtar amerikan tha se “britanikët dhe francezët kanë qenë konstruktivë”, por se disa vende të tjera evropiane duan që SHBA të mbajë barrën kryesore të luftës, ndërsa vetë hezitojnë të përfshihen seriozisht.
Presioni nga baza politike
Në këtë moment, vetë elektorati i Trump është i ndarë: krahu nacionalist-populist MAGA kërkon që SHBA të mos përfshihet në një konflikt që “nuk është lufta jonë”, siç e përshkroi edhe vetë Trump. Por ai theksoi se mbështetja për Evropën mund të vazhdojë në formën e garancive të sigurisë ajrore, dhe përmendi me kënaqësi faktin që NATO po paguan për armët amerikane që shkojnë në Ukrainë.
Top Channel