Protestat që lanë pas pesë të vdekur/ Ndalen tubimet në Indonezi pas ndërhyrjes së ushtrisë, por pakënaqësia e popullit mbetet e thellë

01/09/2025 10:54

Pas ditësh protestash masive dhe përplasjeve të dhunshme në të gjithë Indonezinë, situata është qetësuar përkohësisht, ndërsa qeveria ka vendosur masa të forta sigurie, përfshirë vendosjen e ushtrisë dhe policisë në rrugët e qyteteve kryesore.

Protestat filluan fillimisht si demonstrata paqësore kundër një shpërblimi të debatueshëm për strehim për ligjvënësit, 50 milionë rupiah (rreth 3,000 dollarë) në muaj, ndërsa miliona qytetarë përballen me rritjen e kostove të jetesës dhe paga të ulëta. Por situata eskaloi të enjten, kur një automjet i blinduar i policisë përplasi dhe vrau një shofer të një motori transporti në Xhakarta, ngjarje që ndezi revoltën në shkallë kombëtare.

Të paktën pesë persona humbën jetën gjatë protestave që u përhapën në shumë qytete të arkipelagut, ndërsa ndërtesa publike dhe shtëpi të zyrtarëve u dogjën ose u plaçkitën, shkruan CNN. Pamje të publikuara në rrjet tregojnë qindra protestues me pankarta dhe portrete të të ndjerit Affan Kurniawan, viktimës së incidentit me policinë, duke marshuar në heshtje apo përplasur me forcat e sigurisë.

Qeveria reagon me dorë të fortë dhe lëshime politike

Presidenti Prabowo Subianto, i cili mori detyrën tetorin e kaluar, anuloi një vizitë të planifikuar në Kinë për t’u përballur me krizën. Në një deklaratë nga Pallati Presidencial në Xhakarta, ai u shfaq i shoqëruar nga udhëheqës të partive të ndryshme dhe njoftoi se përfitimet për ligjvënësit do të rishikohen dhe reduktohen.

Por paralelisht me lëshimet politike, Prabowo njoftoi edhe masa të ashpra kundër protestuesve dhe plaçkitësve, duke i cilësuar aktet e dhunshme si “ngjashme me terrorizëm dhe tradhti”. Amnesty International dhe organizatat e të drejtave të njeriut e kanë kritikuar ashpër këtë gjuhë, duke paralajmëruar për shtypje të të drejtave themelore të qytetarëve.

Etiketimi i protestave si tradhti apo terrorizëm është i papërshtatshëm dhe injoron shqetësimet legjitime të qytetarëve,” deklaroi Usman Hamid, drejtori i Amnesty International Indonesia.

Shkak ekonomik, pakënaqësi sociale dhe zemërim i akumuluar

Studentët, sindikatat dhe organizatat e shoqërisë civile janë bashkuar rreth një kauze të përbashkët: varfëria në rritje, mungesa e barazisë dhe korrupsioni në nivelet më të larta. Lëvizja “Gelap Indonesia” (Indonezia e Errët), e nisur në shkurt si kundërshtim ndaj propozimeve për zgjerimin e ligjit ushtarak, është shndërruar tashmë në simbol të rezistencës ndaj qeverisë së Prabowo-s.

Protestat e fundit shtohen mbi një valë zhgënjimesh: nga programi i diskutueshëm i drekës falas në shkolla që ka shkaktuar raste helmimesh masive, te taksat e pronës që janë rritur deri në 250% në disa rajone, duke nxitur protesta të veçuara edhe më herët gjatë vitit.

A do të rikthehen protestat?

Edhe pse disa grupe kanë pezulluar protestat për shkak të frikës nga dhuna shtetërore, analistët paralajmërojnë se pakënaqësia është e thellë dhe e përhapur.

Nuk ka frikë për të folur në rrjetet sociale, por ka frikë se nëse del në rrugë, mund të arrestohesh nga policia apo ushtria”, tha një student për CNN.

Që nga tetori i kaluar, Indonezia ka përjetuar të paktën tre protesta madhore kombëtare. Shumë vëzhgues vlerësojnë se mbijetesa politike e Prabowo-s do të varet nga mënyra se si qeveria e tij do të adresojë ankesat ekonomike dhe do të trajtojë zërat kritikë.

Top Channel