
Ministria e Jashtme e Iranit ka akuzuar Europën se po heq dorë nga roli i ndërmjetësit mes SHBA-së dhe Iranit dhe po ia dorëzon fatin e marrëveshjes bërthamore vetos së Donald Trump.
Zëdhënësi Esmail Baghaei, në një intervistë për The Guardian në Teheran, tha se rikthimi i sanksioneve të gjerë të OKB-së me kërkesë të vetë Europës, do t’i japë SHBA-së fuqinë të diktojë gjithçka që ndodh më pas.
“Europianët po bëjnë pikërisht atë që Trump u kishte diktuar,” tha Baghaei. “Roli i Europës është drejt minimizimit. Në të kaluarën, liderët e politikës së jashtme të BE-së si Javier Solana, Cathy Ashton, Federica Mogherini dhe Josep Borrell, përpiqeshin të ndërmjetësonin sinqerisht mes nesh dhe SHBA-së. Tani, Europa ka zgjedhur të bëhet një vegël e SHBA-së dhe Izraelit. Kjo është një papërgjegjshmëri e plotë.”
Ai theksoi deklaratën e kancelarit gjerman Friedrich Merz, i cili në qershor tha se “Izraeli po bën punën e pistë për të gjithë ne” duke sulmuar objektet bërthamore të Iranit. “Të gjitha vendet europiane, në një mënyrë apo tjetër, e aprovuan këtë dhe shumë mundësisht i kanë dhënë informacion Izraelit,” shtoi Baghaei.
Deklaratat e tij duket se synojnë të ushtrojnë presion mbi kryeqytetet europiane që të distancohen nga SHBA dhe të zbutin kushtet e tyre për shtyrjen e sanksioneve të OKB-së.
Baghaei paralajmëroi gjithashtu se qeveria iraniane nuk ka kompetencë kushtetuese për të bllokuar një tërheqje nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) nëse parlamenti iranian e miraton një ligj të tillë. Sipas tij, tërheqja nga traktatet ndërkombëtare është në dorën e parlamentit.
Pritet që të martën të publikohet numri i deputetëve që mbështesin projektligjin për tërheqje nga NPT-ja, dhe më shumë gjasa ai do të kalojë me shumicë dërrmuese. Një veprim i tillë do t’i hiqte OKB-së çdo të drejtë për të monitoruar programin bërthamor të Iranit, gjë që do të shkaktonte shqetësime serioze në SHBA për mundësinë që Irani të ndërtojë një armë bërthamore.
Fraksione të fuqishme në parlamentin iranian besojnë se Irani ka fuqinë ushtarake për t’i shkaktuar dëme të mëdha Izraelit në rast të një sulmi tjetër perëndimor.
“Ne jemi të përgatitur, sepse kjo është çështje dinjiteti dhe sovraniteti,” tha Baghaei. “Edhe ju në Mbretërinë e Bashkuar kishit shpirtin e ‘Blitz’-it kur u sulmuat nga Gjermania naziste. Edhe ne kemi të njëjtin shpirt, sepse kjo luftë që po na imponohet në mes të negociatave është e padrejtë.”
Tre vendet europiane nënshkruese të marrëveshjes bërthamore – Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe – i njoftuan OKB-në të enjten e kaluar se do të përdorin të drejtën e tyre për të rikthyer sanksionet në fund të shtatorit, nëse Irani nuk plotëson tri kushte:
Lejimi i inspektorëve të OKB-së të rikthehen në objektet e bombarduara;
Dorëzimi i informacioneve mbi sasinë 400 kg të uraniumit të pasuruar në nivel të lartë;
Pranimi për të nisur bisedime me SHBA-në mbi të ardhmen e programit bërthamor.
Europa thekson se ka ende hapësirë për diplomaci në këto katër javë për të arritur një marrëveshje.
Baghaei i quajti këto kushte “shenjë se Europa nuk është serioze dhe nuk vepron me mirëbesim”. Ai pranoi se ka një mungesë të thellë besimi mes Iranit dhe inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA).
“Ka frikë reale që informacionet e mbledhura nga IAEA mund të përfundojnë në duart e Izraelit, sidomos pas qasjes së politizuar që ka ndjekur agjencia kohët e fundit,” tha ai.
Baghaei theksoi se lëvizjet e fundit të IAEA janë përdorur si justifikim për sulmin izraelit në qershor dhe se veprimet e SHBA-së dhe Izraelit kanë minuar ligjin ndërkombëtar.
“Ne kemi pasur inspektim 24 orë në ditë për më shumë se 30 vjet. Por tani jemi nën sulm të padrejtë, dhe populli ynë është i zemëruar – ne duhet t’i japim llogari popullit dhe parlamentit.”
Megjithatë, zyrtarët iranianë thonë se qëllimi mbetet arritja e një kompromisi që do të mundësojë rikthimin e inspektorëve. Diplomatët iranianë kanë siguruar IAEA-n se uraniumi nuk është zhvendosur dhe janë të gatshëm të bisedojnë me SHBA-në, por deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Uashingtoni.
Baghaei shtoi se Irani është i gatshëm të kthehet në nivelin e pasurimit të uraniumit prej 3.67% – sipas marrëveshjes së mëparshme – nëse arrihet një marrëveshje e përgjithshme që ruan të drejtën e Iranit për të pasuruar uraniumin në vend.
Ai ngriti pyetjen se pse SHBA është aq e fiksuar pas heqjes së të drejtës së Iranit për pasurim, nëse – sipas pretendimeve të Trump – kjo aftësi ishte shkatërruar tashmë nga sulmet e përbashkëta SHBA-Izrael.
Top Channel