Lufta në Ukrainë, BE godet edhe Kinën e Indinë? Çfarë janë sanksionet “dytësore”

01/09/2025 12:53

Bashkimi Europian po shikon mundësitë e masave të tjera ndaj Rusisë mes vazhdimit të luftës së saj në Ukrainë.

Në një kohë kur Moska duket nuk po zmbrapset as para paketave të njëpasnjëshme të sanksioneve ndaj saj, apo njoftimeve për dërgime armësh në Kiev, Brukseli po mendon ta shtyjë presionin mbi ruset duke goditur edhe partnerët e tyre. Javët e ngutshme të diplomacisë nuk kanë sjellë asnjë pushim për ukrainasit që jetojnë nën sulm, dhe me mbështetjen e SHBA, që rezulton të jetë e paparashikueshme, diplomatët e BE i përshkruan bisedimet e fundjavës në Kopenhagen si një seancë “brainstorming” mbi të ardhmen e mbështetjes së BE për Kievin.

Shefja e politikës së jashtme të bllokut, Kaja Kallas pohoi se mes ideve të diskutuara në kryeqytetin danez, ishte edhe shqyrtimi i sanksioneve dytësore, apo kufizime që synojnë partnerët tregtarë të Rusisë. BE ka sanksionuar tashmë disa subjekte të huaja, përfshirë bankat kineze, të cilat i akuzon se ndihmojnë Moskën të financojë luftën e saj, por sanksionet më të gjera dytësore mund të jenë një hap më me ndikim dhe më të rrezikshëm, për Europën, e cila po kërkon më shumë miq ndërkombëtarë dhe marrëveshje të reja tregtare me vende si India.

Ministrja lituaneze e Mbrojtjes, Dovile Sakaliene, paralajmëroi gjithashtu se vetëm sanksionet dytësore të SHBA “do të shkaktonin vërtet dëme të mjaftueshme në makinën ruse të luftës”. “Dallimi është se ato kanë një efekt vërtet bërthamor. Askush në botë nuk dëshiron të ndiejë sanksionet dytësore të SHBA në lëkurën e tij”, tha ajo. Ndërkohë, në një lëvizje të paprecedentë, Danimarka njoftoi se, “brenda pak javësh”, do të ftojë një kompani ukrainase armësh të fillojë prodhimin në tokën daneze.

Ministri i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, deklaroi se uzina mund të jetë funksionale këtë vit, megjithëse nuk dha detaje se cilat armë do të prodhoheshin atje.

 

Top Channel