
Ka përfunduar tratativa e verës në kampionatin anglez, Isak do të jetë sot në Liverpool për vizitat mjekësore dhe firmën e kontratës.
Newcastle do të përfitojë 130 milionë sterlina (150 milionë euro). Është marrëveshja e vitit, transferimi më i shtrenjtë ndonjëherë në historinë e Premier League. Alexander Isak deri në orën 20:00 do të jetë qendërsulmuesi i ri i Liverpool-it, duke u bërë lojtari më i shtrenjtë në historinë e kampionatit anglez, pasi Newcastle për kartonin e tij ka marrë 130 milionë sterlina, ekuivalente me 150 milionë euro.
Isak sot do të jetë në Liverpool për vizitat mjekësore dhe firmën e kontratës, duke mbyllur një “telenovelë” që zgjati për pjesën më të madhe të verës dhe që u finalizua në pak orë. Reds vazhdojnë një merkato spektakolare e rekordesh: shpenzimet e përgjithshme në këtë sesion shkojnë në 516,5 milionë euro, për herë të parë mbi gjysmë miliardi. Dhe nuk ka mbaruar ende.
Liverpool dhe Newcastle rinisën kontaktet pasi Reds mundën Arsenalin, por fundi i madh dukej i pashmangshëm. Isak prej javësh i kishte përsëritur Magpies se nuk do të kthehej më në grup, dhe se mesazhi i tij në rrjete sociale dhjetë ditë më parë – “ndryshimi është zgjidhja më e mirë për të gjithë” – ishte një lamtumirë që nuk linte hapësirë për alternativa.
Kur Newcastle gjeti te Nick Woltemade (i kushtoi 75 milionë euro, rekord i ri për klubin, duke kaluar pikërisht shifrën e Isak) sulmuesin që e kishte kërkuar gjithë verën, situata e Isak u zhbllokua. Klubi i Sandro Tonalit e vlerësonte suedezin 173 milionë euro, ndërsa Liverpool mbeti te oferta prej 127 milionësh në fillim të gushtit, pas së cilës u tërhoq në pritje të një sinjali nga Newcastle.
Kur sinjali erdhi dhe klubet u ulën në tryezë, u bë e qartë se Magpies duhej të ulnin pretendimet dhe Reds të rritnin ofertën. Marrëveshja u arrit në 150 milionë: Isak ia rrëmben rekordit të Florian Wirtz (për të cilin Liverpool pagoi 136 milionë në qershor) primatin e lojtarit më të shtrenjtë në historinë e Premier League.
Slot do të ketë një qendërsulmues të ri për një sulm tashmë spektakolar (Isak ka shënuar 44 gola në dy sezonet e fundit të Premier-it dhe vitin e kaluar e mbylli i dyti në renditjen e golashënuesve, pas Mo Salah) dhe Newcastle një mal me para për t’i reinvestuar në merkato, ndoshta për të bindur Brentford-in të lërë të lirë Joanne Wissa. Edhe Isak mori atë që kërkonte: Liverpool-in, një kontratë prej lojtari të madh, dhe një skuadër me të cilën të luajë për të fituar.
Top Channel