
Pak para mesnatës së të dielës, Matiullah Shahab u zgjua dhe pa që shtëpia e tij në provincën e largët Kunar të Afganistanit po lëkundej.
Një tërmet me magnitudë 6.0 goditi Afganistanin lindor, duke lënë të paktën 800 të vdekur, sipas Kombeve të Bashkuara.
Edhe pse epiqendra e tërmetit ishte 16 km larg, i gjithë fshati i Shahab-it, Asadabad, u trondit. 23 anëtarët e familjes që jetojnë së bashku dolën me nxitim nga dhomat e gjumit nga frika se muret do t’u binin mbi kokë, dhe kaluan gjithë natën zgjuar në kopsht.
“Të gjithë kishim frikë”, thotë ai.
Zonat më të goditura ishin provincat Nangarhar dhe Kunar, por tërmeti u ndje deri në Kabul dhe në kryeqytetin pakistanez Islamabad.
Me zbardhjen e ditës, Matiullah, një gazetar i pavarur dhe aktivist për të drejtat e njeriut, u nis nga shtëpia për të arritur në zonën malore të largët, pranë epiqendrës së tërmetit.
Ai tregon se duhej të linte makinën dhe të ecte për dy orë në këmbë, pasi rruga ishte bllokuar nga gurët.
Në fshatin Andarlachak, pa disa fëmijë të vegjël që po merrnin ndihmë mjekësore në rrugë. Dy vogëlushë ndodheshin mbi një barelë, me mavijosje në gjoks dhe fytyrë.
Fëmijë të tjerë ishin mbështjellë me çarçafë të bardhë. Vetëm në atë fshat vdiqën 79 persona.
“Pashë shumë trupa të pajetë. Ndjeva 17 pasgoditje”, i tha Matiullah BBC-së.
Ai ndihmoi banorët e zonës të hapnin varre për viktimat.
Një burrë i tregoi Shahab-it se humbi gruan dhe katër fëmijët. Por, shumica e njerëzve ishin shumë të tronditur për të folur.
“Fytyrat e njerëzve ishin mbuluar me pluhur dhe mbizotëronte heshtja. Ishin si robotë – askush nuk mund të fliste për çfarë ndodhi”, tha ai.
Për shkak të rrugëve të bllokuara, ndihmat e qeverisë së talebanëve janë bazuar në helikopterë për të arritur në fshatrat malorë. Por terreni i ashpër malor ka bërë që disa zona të mbeten ende të paarritshme, dhe ka raportime për njerëz që kanë vdekur nën rrënoja, në pritje të shpëtimit.
Top Channel