
Një deklaratë e kryeministrit francez François Bayrou ka ndezur tensionet mes Francës dhe Italisë.
Në një intervistë për katër televizione franceze, në prag të votëbesimit të 8 shtatorit, Bayrou tha se Italia po ndjek politika të “dumpingut fiskal”, duke ofruar lehtësime për më të pasurit që mund të zhvendosin rezidencën e tyre tatimore.
“Ka një lloj nomadizmi fiskal dhe secili zhvendoset atje ku i leverdis më shumë,” – u shpreh Bayrou, duke cituar Italinë si shembull të këtyre praktikave.
Reagimi i Palazzo Chigi ishte i menjëhershëm: “Stupisin deklaratat krejtësisht të pabazuara të Bayrou. Ekonomia italiane është më tërheqëse dhe më stabile se shumë të tjera në Europë. Italia nuk aplikon politika të pakuptimta favorizuese, përkundrazi ka rritur dyfish tatimin forfetar për individët që transferojnë rezidencën.”
Në të njëjtën notë, qeveria italiane i kërkoi Parisit që të bashkohet në nivel të BE-së kundër vendeve që praktikojnë vërtet dumping fiskal, të cilat, sipas saj, prej vitesh po dëmtojnë ekonominë italiane.
Edhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani reagoi ashpër: “Jam i habitur. Kjo është një akuzë e pabazë. Italia po ecën në një rrugë pozitive ekonomike, pa konspiruar kundër askujt. Paradiset fiskale të vërteta janë diku tjetër në Europë.”
Ndërkohë, Lega e cilësoi deklaratën e Bayrou si “një sulm të rëndë dhe të papranueshëm nga një qeveri franceze në krizë”.
Dumpingu fiskal është një praktikë përmes së cilës disa shtete u ofrojnë bizneseve e individëve tatime shumë të ulëta – madje edhe zero – për të tërhequr kapital e investime. Kjo krijon konkurrencë të padrejtë, sepse kompanitë zgjedhin vendet me tatime minimale, duke dëmtuar ekonomitë që aplikojnë sisteme më të drejta tatimore.
Top Channel