Emrat/ Sherri masiv në lokalin në Korçë, ja cilët janë 10 personat e përfshirë, mbetën të plagosur tre prej tyre

01/09/2025 12:21

10 personat e përfshirë në sherrin masiv në një lokal në Korçë janë identifikuar.

Gazetarja e Top Channel, Dhorjela Çule ka zbardhur emrat e personave të cilët kanë rënë në prangat e policisë, ndërsa tre prej tyre janë plagosur për shkak të dhunës me mjete të forta.

Gjithashtu është vënë nën hetim pronari i lokalit ku ndodhi konflikti, pasi kishte punonjës të paregjistruar në organet kompetente.

Në njoftimin zyrtar policia thekson se mbrëmjen e djeshme, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr.1, Korçë, në ambientet e një lokali, po ndodhte një konflikt, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë shkuan në vendngjarje, për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.

Personat e arrestuar janë Dritan Pino, 54 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”, “Deklarimi i rremë para oficerëve të policisë gjyqësore”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”;

Petriko Ropi, 28 vjeç, Ilir Shukulli, 51 vjeç, Rafail Kocaqi, 21 vjeç, Salvi Asllan, 21 vjeç, Mahal Zhidro, 31 vjeç, Serxhio Mema, 25 vjeç, Gersi Dervishi, 37 vjeç, Sotiraq Shkurti, 31 vjeç, dhe Kristi Lamçe 29 vjeç, të gjithë banues në Korçë, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”, “Deklarimi i rremë para oficerëve të policisë gjyqësore” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi E. K., 38 vjeç, banues në Korçë, i dyshuar i përfshirë në konflikt.

Këta shtetas janë konfliktuar fizikisht dhe me sende të forta me njëri-tjetrin, duke prishur qetësinë publike dhe duke shkaktuar dëme materiale në lokal. Ata kanë dhënë deklarata të rreme përpara punonjësve të Policisë.

Në vijim të veprimeve për rastin u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për pronarin e lokalit ku ndodhi konflikti, shtetasin R. I., 45 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Punësimi i paligjshëm”, pasi nga verifikimet rezultoi se kishte punonjës të paregjistruar në organet kompetente.

Personat e arrestuar për konfliktin e ndodhur në Korçë janë:

Dritan Pino
Petrika Ropi
Ilir Shukulli
Rafail Kocaqi
Salvi Asllan
Mihal Zhidro
Serxhio Mema
Gersi Dervishi
Sotiraq Shkurti
Kristi Lamçe.

Top Channel