Cila do jetë aventura e radhës për Mourinhon pas shkarkimit tek Fenerbaçe, a do të realizohet ëndrra e portugezëve: Botërori 2026 me Don Josen në krye?

01/09/2025 17:33

Zbulimi i fundit turk është imazhi i José Mourinhos i vetëm në aeroportin e Stambollit. Largimi i tij i bujshëm nga Fenerbaçe është fryt i një tjetër aventure me ambicie të larta që përfundoi keq për teknikun portugez.

Disfata e Lisbonës dhe eliminimi nga Champions, i theu digat e durimit të Ali Koç, presidenti i ekipit turk që prej vitit 2018.

Mes shumë aktiviteteve bie në sy partneriteti me Stellantis-in e John Elkann dhe pas pak javësh e pret verdikti i zgjedhjeve për drejtimin e klubit. Rivali i tij kryesor synon Sergio Conceiçãon, ndërsa ai lëkundet mes gjermanit Roger Schmidt dhe Edin Terziç ish-trajneri i Borussia Dortmund. Emra të rëndësishëm për të mbajtur të lartë temperaturën e tifozerisë pas polemikave të ashpra me Don José Mourinhon.

Në këtë histori të diskutueshme bie në sy roli i menaxherit turko-gjerman Devin Özek. Vetëm tridhjetë vjeç, i rritur te Bayer Leverkusen dhe shumë i lidhur me Xabi Alonson, një vit më parë u zgjodh për t’i plotësuar dëshirat e Mourinhos. Dhe në fakt bëri një punë të mirë, duke arritur të përmbyllë 7 blerje me vetëm 30 milionë euro.

Por për Mourinhon mbetet një shije e hidhur, pasi vendimtari Aktürkoğlu kaloi te turqit për 25 milionë euro vetëm pas shkarkimit të portugezit. Dhe shigjetat e tij mbi fushatën e merkatos duket se patën një peshë vendimtare në divorcin me klubin.

Është e pashmangshme që herët a vonë emri i tij të lidhet me ndonjë klub të madh europian, edhe pse ai tashmë ka vizituar skenat më të rëndësishme të kontinentit dhe është e vështirë të imagjinohen rikthime.

Po ashtu, ata që i qëndrojnë afër sigurojnë se në moshën 62-vjeçare ai nuk ndihet i tërhequr nga ofertat e botës arabe, në veçanti nga ajo saudite.

Më shumë gjasa, në Portugali po merr formë një ide që prej vitesh ndez shpresat e tifozëve të kombëtares, t’i besohet stoli José Mourinhos. Lajmi ka qarkulluar disa herë në mediat portugeze, por ai gjithmonë e ka shtyrë bashkimin e shumëpritur nga tifozët. Tani, megjithatë, mundësia mund të konkretizohet.

Roberto Martinez, aktualisht trajner i Portugalisë, e sheh Botërorin e ardhshëm më i sigurt se kurrë pas fitores në Nations League. Megjithatë ai i vitit 2026 në SHBA mund të shndërrohet në një udhëkryq të vërtetë.

 

Top Channel