
Kryeministri Francois Bayrou përballet në 8 shtator me mocion mosbesimi, që rrezikon ta rrëzojë sërish qeverinë ne Francë.
Ishte vetë kreu i qeverisë që kërkoi një masë të tillë mes diskutimeve të nxehtë mbi buxhetin e planifikuar të kursimeve, i cili po kundërshtohet ashpër në vend.
Qeveria e pakicës po planifikon kursime prej pak më shumë se 44 miliardë eurosh për të ulur deficitin në 4.6 përqind të produktit të brendshëm bruto (PBB) vitin e ardhshëm – që është ende larg kritereve të BE-së. Ndër masat simbolike është anulimi i dy festave zyrtare. Me këtë votëbesimin, Bayrou po ndërmerr një hap që kërcënon më shumë sesa vetëm karrierën e tij. Nëse dështon, Presidenti Emmanuel Macron do të detyrohet të zëvendësojë kryeministrin e katërt dhe të emërojë një kryetar të pestë qeverie brenda rreth 600 ditësh – pas Élisabeth Borne, Gabriel Attal dhe Michel Barnier.
Franca sot është e ngarkuar nga një mal borxhesh që tejkalon 3 trilionë euro, dhe barra e interesit i ha dhjetëra miliarda nga buxheti çdo vit. Brukseli po nxit masa shtrënguese, ndërsa tregjet financiare po i ndjekin nga afër politikëbërësit parizienë. Pas njoftimit të Bayrou-t, tregu i aksioneve reagoi me rënie çmimesh dhe rritje të normave të interesit për obligacionet qeveritare, të cilat këtë muaj madje tejkaluan përkohësisht nivelet e Greqisë. Pa një plan të besueshëm konsolidimi, Parisi përballet me një ulje të vlerësimit nga agjencitë e vlerësimit.
Nëse Kryeministri dështon më 8 shtator, Presidenti Macron, i cili mbështet buxhetin e kursimit, do të përballet me vendime të vështira, ndërsa në këtë pikë, mund të diskutohen mes të tjerash edhe gjasat një vit e gjysmë para zgjedhjeve presidenciale, t`i hapet rruga një transferimi të parakohshëm të pushtetit.
Top Channel