
Arti shqiptar është në zi sot me humbjen e regjisorit të madh, Dhimitër Anagnosti.
Artisti mbylli sytë në orët e para të mëngjesit, në moshën 89-vjeçare. “Pas një lëngimi të gjatë, iu binde ligjit të jetës”, njoftoi Juna Anagnosti humbjen e babait të saj përmes një postimi në rrjetet sociale.
I lindur në Vuno më 23 janar 1936, Anagnosti do të mbahet mend si një ndër regjisorët më të mirë të shekullit XX. Me një krijimtari mbi 40-vjeçare, la pas një trashëgimi të pasur me 14 filma artistikë e 10 dokumentarë, për të cilët u vlerësua me çmime të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Gjykoni veprën time”, përgjigjej Artisti i Popullit me një modesti të pashoqe sa herë pyetej për kontributin e tij në kinematografi. Ishte patrioti që trajtonte tema sociale të realizuara në një kohë kur e vërteta ishte e ndaluar. Me guxim dhe vendosmëri, Anagnosti ishte luftëtari i mendimit të lirë.
Vulën e regjisorit Dhimitër Anagnosti e mbajnë filmat më të suksesshëm të kinematografisë shqiptare, përfshirë “Lulëkuqe mbi mure”… “Përrallë nga e kaluara”… “Në shtëpinë tonë”… “Kthimi i ushtrisë së vdekur”… “Malet me blerim mbuluar”…
Anagnosti konsideroj frymëzim për bashkëshorten e tij, partneren në jetë dhe skenë, Artisten e Merituar, Roza Anagnostin dhe për artistët e rinj. Me profesionalizmin në art dhe fabulën që e ngrinte në nivelin më të lartë provoi zhanre të ndryshëm në kinematografi. Ndërsa, pas viteve ’90 u angazhua në jetën politike krah PD-së. Në 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti për 2 vite.
Në artin shqiptar u prezantua edhe si shkrimtar. Në një përsiatje për jetën, me veprën e fundit të tij të fundit Treni ADN, që gati gati duket si testament, u shfaq jo thjesht si mendimtar e eseist, por mbi të gjitha si poet e krijues i hollë.
Top Channel