
Që prej 13 korrikut, qytete të ndryshme të Britanisë janë përfshirë nga protesta kundër emigracionit, veçanërisht pranë hoteleve ku strehohen azilkërkues.
Në këtë klimë të tensionuar, Sekretarja e Brendshme, Yvette Cooper, ka dalë para Parlamentit me një paketë të re masash që synon të forcojë kontrollin mbi emigracionin dhe azilin.
Një nga ndryshimet kryesore që ajo prezantoi ka të bëjë me ribashkimin familjar të refugjatëve. Sipas rregullave të reja, ata që kërkojnë të sjellin familjarët e tyre në Britaninë e Madhe do të duhet të përmbushin disa kushte më të forta: të kenë të ardhura të mjaftueshme, të njohin gjuhën angleze dhe të kenë jetuar një periudhë minimale në vend. Cooper tha se qëllimi i këtyre masave është të ruhet një balancë mes humanizmit dhe aftësisë së shtetit për të menaxhuar integrimin.
Një tjetër pikë që u njoftua ishte vendimi i qeverisë për të mbyllur të gjitha hotelet që aktualisht përdoren për të strehuar azilkërkues deri në vitin 2029. Cooaper shtoi se nëse sigurohet infrastruktura e nevojshme, ky proces mund të përshpejtohet.
Përballë zërave në rritje që flasin për një largim të mundshëm të Britanisë nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Sekretarja e Brendshme u shpreh qartë: “Ne mbetemi të përkushtuar ndaj angazhimeve tona ndërkombëtare, ato janë thelbësore për sigurinë dhe legjitimitetin tonë.”
Kjo paketë e re vjen si përpjekje për të qetësuar opinionin publik, por me gjasë do të ngjallë debat edhe më të madh në javët në vijim.
Top Channel