Nga kjo e hënë, Byroja Kombëtare e Hetimit është pa drejtues. Megjithatë, derisa të gjendet shefi i ri, “FBI-ja shqiptare” do të drejtohet përkohësisht nga zëvendësdrejtori Jon Keta.

Me 6 vota pro dhe 4 kundër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë pranoi kërkesën e kryeprokurorit të SPAK, Altin Dumani, për lirimin nga detyra të Aida Hajnaj, për të cilën u pranua mbarimi i mandatit 5-vjeçar dhe, për rrjedhojë, largimi nga ky post.

Anëtarët e KLP-së u ndanë në votim: pakica prej 4 anëtarësh vlerësoi se mandati i Hajnaj nuk mbyllej më 31 gusht, por më 1 shtator.

Në kushte normale, këtij takimi të Këshillit duhej t’i kishte paraprirë zgjedhja e drejtorit të ri, i cili emërohet nga KLP. Por SPAK nuk ishte në gjendje të dorëzonte brenda afateve emrin e kandidatit, ndaj gjatë gushtit, veç e veç, Dumani dhe Hajnaj deleguan shkresa në KLP për çështjen e mandatit.

Kur procesi po mbahet tej kohës së caktuar me ligj, sytë janë tek komisioni i radhës, i cili ka afat edhe 120 ditë të tjera për të hetuar garuesit për drejtor të BKH-së.

Ky komision po verifikon pasuritë dhe figurën e shtatë kandidatëve, disa prej të cilëve nuk e kanë kaluar testin e poligrafit, raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.

Emrat e kandidatëve që mbeten në garë dhe që nuk kanë marrë pikët e duhura nga “makina e të vërtetës”, mbahen sekret.

Ndërkohë, së shpejti KLP mblidhet për të deklaruar hapjen e garës për kryeprokuror të SPAK-ut, duke qenë se Altin Dumani i përfundon mandati i kryeprokurorit dhe, nga janari 2026, ai kthehet si një prokuror i thjeshtë në këtë prokurori.

Për drejtimin e ri të SPAK, pavarësisht shumë emrave të përfolur, pretendentët kryesorë pritet të hedhin dorëzimin e kandidaturës në fund të afateve.

Top Channel