
Vëzhgimi i yjeve me teleskop nga Parku Kombëtar i Shebenikut nisi disa vite më parë si një iniciativë e një grupi të rinjsh të cilët shfrytëzuan pozicionin gjeografik dhe pamjen fantastike që ofronte qielli në Fushë Studë.
Tashmë këtë ide të bukur Bashkia e Librazhdit e shndërroi në një festival yjesh i cili për të dytin vit me radhë mbledh mijëra njerëz.
Të ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë e të huaj, vizitorët kanë shijuar ajrin e pastër, peizazhet fantastike të Shebenikut, gatimet tradicionale dhe muzikën e zgjedhur.
“Unë jam nga Gjermania, nga Berlini dhe ne erdhëm këtu me një grup kolegësh. Është hera imë e parë në Shqipëri dhe mendoj që është një vend shumë i bukur i mbushur me histori. Patëm një drekë shumë të këndshme dhe gatimet tradicionale ishin shumë të shijshme. Nga ana tjetër ky park të mahnit me pamjen e tij. Në këtë periudhë të vitit mbizotëron ngjyra jeshile dhe është kaq bukur”, tha një turiste gjermane.
Pas asfaltimit të rrugës Librazhd-Bulqizë, vizitorët në Parkun Kombëtar të Shebeniku janë dyfishuar duke i dhënë një hov ekonomisë së zonës. Në këto kushte tashmë mbetet detyrë e banorëve të shtojnë njësitë pritëse.
Festivali i Yjeve këtë vit u organizua në dy ditë, por nëse nuk keni gjetur mundësinë për tu akomoduar në disa dhjetëra njësi kampingu të vendosura, vitin tjetër do të duhet të prenotoni shumë më herët sepse pjesëmarrja në këtë aktivitet të veçantë është e jashtëzakonshme.
Top Channel