
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani zhvilloi një takim me institucionet e varësisë për fillimin e vitit të ri shkollor. Nënkryetarja dha lajmin e mirë për hapjen e 5 shkollave të reja këtë vit.
“Gjatë vitit do të hapim 5 shkolla të reja të ndërtuara nga fillimi dhe 1 të rikonstruktuar rrënjësisht. Do të jetë shkolla “Pjetër Budi”, njësia administrative 7, “Edith Durham”, historikja, në njësinë 5, “Ibrahim Hima” në Vaqarr e cila do të jetë e para që do të jetë gati. Jemi në fazën e mobilimit, kështu që besoj brenda shtatorit do ta zgjidhim. Shkolla e mesme e bashkuar “Mersim Duqi”, njësia administrative Bërzhitë, në fshatin Ibë gjithashtu ndërtim i ri. Shkolla e bashkuar në Krrabë e cila do të përfundojë rreth fundit të vitit shkollor, pra në 2026 dhe është duke u rikonstruktuar shkolla 9-vjeçare “Shyqyri Peza” e cila po kalon një riskontruktim të plotë. Pra, është thuajse e re dhe që do të përfundojë brenda këtij viti”, u shpreh Ristani.
Ajo tha se këtë vit nis edhe ndërtimi i kopshteve dhe çerdheve të reja në kryeqytet.
“Sa i përket arsimit parashkollor, do të funksionojë me 45 çerdhe dhe 54 kopshte, dhe 126 grupe parashkollorësh. Janë shpërndarë nëpër të gjitha zonat periferike të Tiranës ku rreth 6 000 fëmijë do të hyjnë për herë të parë në sistemin tonë të çerdheve dhe të kopshteve, kështu që u urojmë mirëseardhjen të gjithë atyre familjeve të reja që bëhen pjesë e këtij komuniteti të shërbimit. Këtë vit do të fillojmë ndërtimin e ri të kopshteve dhe çerdheve të integruar tek ish-shkolla “Migjeni”, njësia administrative numër 9, ndërtim i ri në kopshtin në njësinë administrative Farkë. Po bëhemi gati për punime në kopshtin 50 në njësinë administrative numër 8 në rrugën “Besim Daja”. Gjithashtu gjatë 2026 do të vijojmë ndërtimin e ri për një kopësht dhe çerdhe të integruar në njësinë administrative numër 1 ku nevoja për kopshte dhe çerdhe ka qenë gjithashtu në rritje”, tha Ristani.
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës tha se në fokus do jenë fëmijët që nuk kanë mundësi financiare për t’u ushqyer mirë të cilëve do t’u jepet edhe një kompensim financiar nga Bashkia Tiranë.
“Po aq e rëndësishme është pjesa e ndihmesës apo pjesa e aktiviteteve që plotësojnë zhvillimin e fëmijëve dhe zhvillimin e nxënësve, përpos orareve të shkollës. Kemi në përkrahje të kësaj edhe kompensim ushqimor i cili kalon me miratimin e Këshillit Bashkiak dhe financim të Bashkisë për ata nxënës të cilët nuk e kanë mundësinë të ushqehen rregullisht apo t’u jepet drekë me vete në ambientet e shkollës. Kjo ndodh me 140 nxënës në 11 shkolla të ndryshme të cilët përfitojnë nga ky program i mbuluar nga buxheti i bashkisë dhe qendrat sociale të cilat ofrojnë programin e pas shkolle për ato familje me fëmijë të neglizhuar për sa i përket orarit apo impenjimit apo dhe kapaciteteve të familjeve të tyre për t’i ndjekur në nevojat arsimore dhe në zhvillimin e tyre. Është e rëndësishme të theksohet që ndajmë çdo vit 700 bursa për nxënës që vijnë nga familje në ndihmë ekonomike dhe japim 2800 të tilla për nxënësit ekselentë, për ata që janë më të mirët marrin dhe gjithashtu kompensim. Investimet janë njësoj si në qendër, si në periferi”, përfundoi Ristani.
Top Channel