
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka bërë me dije përmes një deklaratë publike se në sajë të marrëveshjes së bashkëpunimit për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore mes MEKI, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkisë Himarë, janë miratuar disa projekte ndërhyrjesh për rijetëzim, mes tyre edhe për Shpellën e Spilesë në Himarë.
Kjo e fundit është një Monument Kulture i Kategorisë së Parë dhe çdo ndërhyrje kryhet vetëm mbi bazën e miratimit nga institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore, duke respektuar standardet më të larta të mbrojtjes dhe ruajtjes së saj.
Ndërhyrjet funksionale të parashikuara përfshijnë vendosjen e rrethimit mbrojtës, instalimin e paneleve informuese, dhe ndriçimin dekorativ, duke theksuar se asnjë lavash apo zaptim tjetër nuk do të tolerohet.
Kjo deklaratë nga Ministria vjen pas publikimit të pamjeve nga studiuesi Auron Tare, ku shihej se hyrja e saj ishte kthyer në fakt në vend parkimi dhe lavazh.
Tare shprehet se e vlerëson reagimin e ministrisë, por shpreson që projekti të vihet në praktikë.
Reagimi i Auron Tare:
Një Sqarim për MEKI-s dhe Shpellën e Spilesë në Himarë.
Më vjen shumë mirë që një reagim imi qytetar mbi një pjesë të rëndësishme të Trashëgimisë Kulturore në Himarë ka nxitur një institucion të rëndësishëm si MEKI të dalë me një deklaratë zyrtare.
Fakti që, pas gati 10 vitesh shkrime të mia si qytetar i angazhuar, nuk ka pasur asnjë reagim nga pararendësja e këtij institucioni, tregon se ky shkrim i thjeshtë ka prekur një çështje shumë sensitive.
Reagimi, në vetvete, është shenjë vëmendjeje dhe kujdesi. Indiferenca është shenjë injorance.
Nuk ka asnjë arsye që reagimi i njerëzve të Trashëgimisë Kulturore të merret nga burokratë si një betejë llogoresh. Trashëgimia Kulturore nuk duhet të shihet kurrsesi si llogore ndasish, por përkundrazi si një urë e fortë ku të gjithë ata që e duan këtë fushë kaq të bukur të ecin së bashku.
Falenderoj MEKI-n për reagimin dhe e ftoj këtë institucion që të shohë nga afër gjendjen se si është Shpella e Spilese, sot më 26 gusht, ditë e martë, ora 10:30.
Ndërkohë, të gjithë dashamirësit mund të shohin një imazh të publikuar nga MEKI, ku vizatohet një ide se çfarë dëshiron ky institucion të realizojë në të ardhmen. Shpresojmë që këto imazhe të bukura, plot lulka, të kenë një fund pozitiv në dobi të Trashëgimisë Kulturore dhe zhvillimit ekonomik të zonave ku këto perla të kulturës ende ruhen.
Top Channel