Sulmoi pjesëtarët e KFOR-it dhe Policisë, arrestohet një person në Zveçan

24/08/2025 22:55

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se është ndaluar një person i cili dyshohet se ka marrë pjesë në sulmin ndaj pjesëtarëve KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan.

Ky i fundit do të qëndrojë në ambientet e paraburgimit për të paktën 48 orë. Ai u ndalua në Zveçan, komunën në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe dhe dyshohet të jetë autor i veprave penale bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, si dhe sulm ndaj personit zyrtar”, tha Prokuroria Speciale e Kosovës.

Më 29 maj të vitit 2023, 93 pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, pësuan lëndime – disa prej tyre lëndime të rënda – pas përleshjes me protestuesit serbë. Të lënduar nga kjo përplasje pati edhe në anën e protestuesve.

Dhuna në Zveçan shpërtheu pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposavic dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët po atë vit, që u bojkotuan nga serbët. Deri më tani, dy persona janë dënuar me burgim për shkak të dhunës ndaj KFOR-it, ndërkaq disa persona të tjerë po ashtu janë dënuar dhe të njëjtit kanë arritur marrëveshje me prokurorinë për pranimin e fajësisë.

Top Channel