Shkëmbim zjarri mes policisë dhe grabitësve në autostradën Durrës-Tiranë! Plagoset një nga autorët, tjetri arrestohet

24/08/2025 10:49

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në autostradën Durrës–Tiranë, ku dy persona që kishin vjedhur një automjet dhe më pas kishin grabitur me dhunë një karburant në Sukth, u përplasën me Policinë.

Sipas njoftimit zyrtar, autorët u identifikuan nga shërbimet e Policisë së Durrësit, të cilat u vunë në ndjekje të automjetit të vjedhur. Gjatë tentativës për t’u larguar me shpejtësi, dy personat hapën zjarr ndaj uniformave blu.

Policia u kundërpërgjigj me zjarr në kushtet e mbrojtjes së nevojshme, dhe si pasojë u plagos njëri prej autorëve, Ardit Domi, 28 vjeç, banues në Bilalas të Shijakut, i cili u dërgua menjëherë në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Autori tjetër, Lorenc Çali, 27 vjeç, banues në Bilalas, pas rezistencës së armatosur ndaj efektivëve të Policisë, u neutralizua dhe u vu në pranga.

Në vendngjarje u sekuestrua një armë zjarri automatike kallashnikov me dy krehra fishekësh, e përdorur nga të dy personat gjatë ndjekjes.

Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00, në afërsi të rrethrrotullimit të mbikalimit në Vorë, ku automjeti i autorëve doli nga rruga si pasojë e shpejtësisë. Përveç Policisë së Durrësit, në operacion u angazhuan edhe shërbime mbështetëse nga DVP Tiranë.

Nën drejtimin e Prokurorisë, Sektori për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë në DVP Durrës ka nisur punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe veprimtarisë kriminale të autorëve.

Top Channel