
Kryetari i Parlamentit të Ukrainës, Stefanchuk, në një postim në rrjetet sociale njoftoi se sot, në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, Presidenti Zelenksi ka dekoruar 14 kryeparlamentarë, deputetë, senatorë e kongresmenë të ShBA dhe vendeve europiane, mes tyre Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, për mbështetjen ndaj Ukrainës dhe bashkëpunimin me Parlamentin e këtij vendi.
Kryeparlamentares Spiropali iu akordua Çmimi i Lartë Shtetëror “Urdhri i Princeshës Ollga, i Klasit të Parë”.
“Faleminderit secilit prej jush, miqtë tanë të dashur, anëtarë të familjes së madhe parlamentare, për çmimet e merituara që u janë dhënë nga Presidenti Zelenski, në emër të popullit ukrainas!”, shkruan kryeparlamentari ukrainas Ruslan Stefanchuk.
Spiropali, mori pjesë dhe përshëndeti në veprimtarinë me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, organizuar sot nga Ambasada e Ukrainës në Shqipëri, ku tha se mbështetja e Shqipërisë për popullin ukrainas, është e palëkundur.
“I nderuar z. Ambasador Shkurov, i dashur Volodomyr, Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik; Zonja e zotërinj, Në këtë gjysmë dekadën e fundit bota ka ndryshuar në mënyrë të pabesueshme. Çdo mëngjes, në Tiranë apo në Washington, në Paris apo në Berlin, në Romë, Bruksel apo në çdo skaj tjetër të botës, lajmet në televizione apo postimet e pafundme në rrjetet sociale, dëshmojnë për miliona fëmijë që njohin më mirë marshimin therës të raketave sesa tingujt e gjuhës amtare, për miliona të moshuar, që në vend të këmbanave të krishtlindjeve apo thirrjen për lutje ndaj Zotit, njohin zhurmën e dronëve që marrin jetë.
Ka luftë edhe aty ku duket se ka paqe. Ka dhembje edhe aty ku koha duket rrjedh normalisht dhe kufijtë konvencionalë ngjajnë të mbyllur ndaj të zezës. Në një mënyrë apo në një tjetër, e gjithë bota është në luftë. Dhe lufta, njëlloj si Perëndia e vjetër romake Janusi, ka më shumë se një fytyrë, më shumë se një pamje, më shumë se një shfaqje. Njëlloj si në vitet e pandemisë së Covid-it, askush nuk ka imunitet, askush nuk është i përjashtuar nga frika e tmerri, humbja dhe disfata. Dhe askund tjetër, më shumë se në Ukrainë, nuk është shfaqur aq brutalisht dhe egërsisht lufta më të gjitha fytyrat e saj.
Dhe ndoshta asnjë ditë tjetër më shumë sesa sot, nuk është simbol i asaj që po ngjet në Ukrainë prej më shumë se tre vjetësh, sesa dita e pavarësisë së saj. Një ditë që më shumë sesa një bilanc 34-vjeçar për rrugëtimin e një kombi, është arsyeja se pse në qiellin e Ukrainës shëtit vdekja e importuar nga fqinji agresor, më i madh, por jo më i fortë, pafytyrësisht mizor dhe i padrejtë.
Lufta në Ukrainë është mësimi tronditës se askush nuk është imun nga e keqja, se ajo shfaqet në dhjetra forma edhe aty ku duket se ka vetëm paqe.
Ndryshojnë vetëm simptomat; aty ka raketa, gjetkë ka çmime më të shtrenjta, aty ka dronë, diku ka më pak vende pune, më pak shkolla, më pak kujdes mjekësor dhe shumë më shumë ankth, tension e pasiguri.
Ndaj edhe përpjekjet për një paqe të drejtë e të ndershme për luftën në Ukrainë, duhet të përfshijnë gjithkënd dhe duhet të bashkojnë gjithkënd, kryesisht në boshtin Ëashington-Bruksel, si mundësia e vetme për të ndërtuar një arkitekturë të re sigurie, tashmë që ajo e hershmja e ekuilibrit mes dy blloqeve të kundërta ideologjikisht ka përfunduar kohë mē parë, dhe e reja, me një qendër të vetme force e pushteti që garantonte paqe, po sfidohet dhe po vihet gjithmonë e më shumë në dyshim.
Duke synuar të kurohet shkaku dhe jo të mjekohet pasoja. Të nderuar miq,Liria, pavarësia, sovraniteti dhe i një vendi nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë ende për kohë të papërcaktuar të garantuara, për gjithmonë. Ato nuk janë të mirëqena dhe mund të kërcënohen nga shumë faktorë që duket se shpiken nga hiçi. Herë nga leximi i keq i historisë së shkuar, e herë nga dëshira për të shkruar ndryshe historinë. Paqja ka shumë armiq dhe armiqësia me paqen ngjan si fatalitet i botës njerëzore. Në emër të saj, të lirisë dhe të drejtës së çdo kombi për të jetuar në liri, 34 vjet më parë, në 24 gusht 1991, parlamenti i Ukrainës riktheu pavarësinë e Ukrainës nga gërmadhat e ish-Bashkimit Sovjetik.Për tre dekada, populli i Ukrainës përjetoi një tranzicion të gjatë drejt demokracisë, pak a shumë si të gjithë vendet e tjera të ish-Lindjes komuniste. Si edhe vendi ynë. Liri që shfaqej edhe me fytyrën e anarkisë, me shpresa dhe zhgënjime, me fitore dhe disfata, me suksese e dështime, me ecje përpara, por dhe fraktura prapakthyese.
Por asgjë nga këto, nuk mund të barazohet me agresionin e nisur që në 2014-ën me aneksimin e Krimesë dhe më pas, me agresionin në shkallë të gjerë të shkurtit 2022, kur një ish-perandori, me forcën e avionëve, raketave e tankeve, kërkoi të rikthejë autoritetin e saj prej perandorie, duke shkelur një vend të lirë. Duke dhënë kështu fillimin e një sage lufte të jashtëzakonshme të Davidit me Goliathin modern. Qindra mijëra jetë njerëzore të humbura, miliona jetë të frakturuara dhe gjithë bota e përfshirë në një luftë totale morale mes viktimës dhe agresorit. Në këtë ndeshje epike, Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që ka mbështetur fort dhe në mënyrë të palëkundur luftën e drejtë të Ukrainës, për mbrojtjen e lirisë, sovranitetit dhe integritetit të saj territorial.
Duke nisur me Rezolutën e miratuar në Kuvend më 8 mars 2022, tek Samiti “Evropë Juglindore-Ukrainë” në Odesa, në 11 qershor të këtij viti, nga bashkëpenëmbajtja e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e deri tek përditshmëria e secilës ditë në këto tre vjet e gjysmë, Shqipëria ka dëshmuar mbështetjen e fuqishme, të palëkundur dhe të vendosur ndaj Ukrainës.
Shqipëria është palë bashkë me vendet e tjera demokratike në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, ka afruar mbështetje diplomatike, financiare e ushtarake, ka qenë një zë i vendosur në samitin e Platformës së Krimesë dhe veprimtaritë ndërkombëtare për paqen, rimëkëmbjen dhe rindërtimin e Ukrainës.
Ka organizuar në Tiranë Samitin e Vendeve të Evropës Juglindore për Ukrainën. Ka shprehur solidaritet të plotë me vizitat e shpeshta në Kiev të delegacioneve të Kuvendit e Qeverisë, përfshirë Kryeministrin Rama.
Shqipëria do të vijojë të jetë një mbështetëse e vendosur dhe konkrete për Ukrainën edhe nëpërmjet bashkëpunimit afatgjatë, në bazë të Marrëveshjes Strategjike 10-vjeçare, nënshkruar më 21 janar 2025, në Davos, e cila parashikon rritjen e bashkëpunimit në siguri e mbrojtje, inteligjencë e informacion, siguri kibernetike, në industrinë e mbrojtjes dhe rimëkëmbjen e Kharkivit, në mbështetjen për rindërtim, luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve e dezinformimit.
Shqipëria mbështet të gjitha përpjekjet dhe kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidentit Trump për dhënien fund luftës dhe arritjen e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës, si edhe kontributin e udhëheqësve të shteteve europiane dhe të NATO-s për mbështetjen e këtyre përpjekjeve. Dhe konsideron se në këtë tunel të gjatë e të errët, vullneti i Ëashingtonit, e vendeve të BE-së, janë drita e vetme në fund të tij. Sepse duke mbështetur Ukrainën, ne mbështesim triumfin e Lirisë mbi tiraninë. Duke mbështetur Ukrainën, ne mbështesim dhe garantojmë të ardhmen e rendit ndërkombëtar. Sepse pa paqen e drejtë në Ukrainë, nuk mund të ketë paqe në Europë dhe në botë.
Sepse duke mbrojtur Ukrainën, mbrojmë demokracinë në vendet tona. Sepse duke mbrojtur Ukrainën, afrojmë shansin e vetëm e unik për paqe edhe në vatrat e tjera të zjarrit që marrin jetë të pafajshme fëmijësh, grash e të moshuarish edhe kudo tjetër, aty ku lufta shfaqet me shumë fytyra, si Janusi i hershëm romak. Gëzuar Festën e Pavarësisë! Slava Ukraini!”
Top Channel