Opozita me tre grupe parlamentare, pas Metës Berisha pritet t’i japë hua deputetë edhe republikanëve, Mediu: Po negociojmë

23/08/2025 15:18

Para se legjislatura e re te trokasë Sali Berisha duhet të zgjidhë  ekuacionin me aleatët historik të cilëve iu siguroi një ulëse të sigurtë në Kuvend, por që presin që kryedemokrati t’i ndihmojë edhe më krijimin e një grupi kuvendor.

Pak ditë pasi në Top Channel numri dy i Partisë së Lirisë,  Tedi Blushi konfirmoi krijimin e grupit parlamentar te Metës, kryerepublikani Fatmir Mediu deklaron se janë në bisedime me Partinë Demokratike për të krijuar edhe grupe te tjera opozitare.

Jo vetëm Ilir Meta, edhe aleatët historik të Partisë Demokratike  presin që Sali Berisha tu bëjë nderin e fundit.

Në prag të legjislaturës së re, Fatmir Mediu konfirmoi bisedimet me  Partinë Demokratike qe mban hapur merkaton e transferimit te deputeteve  brenda kampit opozitar. Për kryerepublikanin konfigurimi i opozitës në Parlament  bëhet jo vetëm për qëllim  te përfitimit te  benefiteve që gëzojnë grupet kuvendore.

“Kemi bërë konsultime ideja është që të ketë dy tre grupe parlamentare që të funksionojnë me qëllime dhe qëndrime të përbashkëta opozitare nuk mund të ketë grupe parlamentare që krijohen thjesht për ti dhënë hapësira për të folur,  por për të vepruar në mënyrë të përbashkët. Qëndrimet që mbahen ne mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit dhe sallën e Kuvendit kanë vlerë kur ka grupe parlamentare të ndryshme nëse janë  qëndrime që koordinohen me njëri-tjetrin”, u shpreh Mediu.

Sali Berisha duhet të nxitojë t’i japë zgjidhje jo vetëm dilemës se grupeve kuvendore, por edhe raportit që  Partia Demokratike do ketë me Kuvendin e ri që në bindjen e kryedemokratit është produkt t i një farse  elektorale.

Por, në një kohë që demokratët janë ende të paqartë për aksonin e shtatorit, jashtë oborrit blu, idetë nuk mungojnë se cila duhet te jetë marrëdhënia e opozitës më parlamentin.

“Që është një farsë elektorale kjo është e qartë dhe është e dëshmuar edhe  nga raporti i OSBE OHDIR, por unë mendoj se opozita ka detyrën e vet për ta kthyer  parlamentarizmin shqiptar në bazë ligjore dhe Kushtetuese. Dhe e është provuar se çdo lloj bojkoti nuk ka qenë asnjëherë efektiv. Dhe brenda kësaj duhet të jetë e ashpër sepse kemi të bëjmë me situatë të papranueshme,  por duhet të jetë e logjikshme që shqiptarët ta kuptojnë sa më mirë”, tha kreu i PR-së.

Koalicioni opozitar ia doli të sigurojë vetëm 50 mandate ne zgjedhje. Sali Berisha vendosi ti strehojë  në listë të sigurtë aleatët, të cilët nëse bëheshin të gjithë bashkë, arrinin numrin 7, që përbën kuotën minimale për formimin e një grupi parlamentar, por doktori  vendosi që nderin me te madh t’ia bëjë Ilir Metës.

Ekuacioni për krijimin e grupeve te tjera vështirësohet pasi krahas republikaneve dhe agrarëve,  aleanca e Partisë Demokratike përfshin edhe  përfaqësuesin e grekëve, Vangjel Dule dhe Mesila Dodën e çamëve.

 

 

 

 

Top Channel