
Melania Trump, e cila është parë rrallë në publik gjatë mandatit të dytë të bashkëshortit të saj si president, ka ndërmarrë një hap të pazakontë diplomatik përmes një letre drejtuar presidentit rus Vladimir Putin, ku bëri thirrje për paqe në emër të fëmijëve të prekur nga lufta.
Letra, e dorëzuar nga Donald Trump gjatë një samiti në Alaskë me Putinin, nuk përmendte drejtpërdrejt Ukrainën, por aludonte për vuajtjet e fëmijëve në zonat e konfliktit. Zonja e Parë shkroi: “Çdo fëmijë ndan të njëjtat ëndrra të qeta… Ata ëndërrojnë për dashuri, mundësi dhe siguri nga rreziku.”
Kjo ndërhyrje u interpretua si një pasqyrim i ndikimit të saj prapa skenave, sidomos në çështjet që prekin fëmijët. Melania Trump është angazhuar edhe më parë në nisma për sigurinë e fëmijëve dhe kundër abuzimeve, megjithëse këtë mandat ka pasur më pak prani publike krahasuar me mandatin e parë – vetëm 19 dalje publike deri tani, nga 40 në të njëjtën periudhë të mëparshme.
Burime pranë çiftit thonë se Donald Trump konsultohet shpesh me të shoqen dhe i vlerëson qëndrimet e saj, sidomos për çështjet ndërkombëtare. Presidenti ka përmendur më herët reagimet kritike të Melanias pas bisedave me Putinin apo pamjeve nga Gaza.
Megjithatë, përfshirja e saj në politikën e brendshme është e kufizuar. Ajo ka qëndruar kryesisht jashtë Uashingtonit, mes Nju Jorkut dhe Palm Beach, dhe ka ruajtur një staf të vogël – vetëm pesë persona, krahasuar me 12 deri në 20 në administratat e mëparshme.
Pavarësisht mungesës në evente të zakonshme të Zonjës së Parë, si pritjet shtetërore apo udhëtimet vetem jashtë vendit, letra drejtuar Putinit dhe ndjeshmëria ndaj çështjeve që lidhen me fëmijët tregojnë për një rol të zgjedhur me kujdes, por jo pa ndikim.
“Zonjat e para kanë një autoritet moral unik,” tha Anita McBride, ish-shefe e stafit e Laura Bush. “Melania po përdor platformën e saj për çështje ku ajo ndjen lidhje të fortë.”
Ndërsa Donald Trump përballet me sfida të shumta në politikën e jashtme, roli i Melanias – edhe në distancë – po shihet si një shtysë morale dhe simbolike për fushatat e tij diplomatike.
Top Channel