
Një gjykatë apeli në Itali la në fuqi vendimin e arrestimit të një shtetasi ukrainas, i dyshuar nga autoritetet gjermane si koordinator i një grupi që sabotoi tre tubacione gazi Nord Stream në Detin Baltik në vitin 2022, bëri të ditur avokati i tij.
Burri 49-vjeçar, emri i plotë i të cilit iu bë i njohur gjykatës, por që referohet si Serhiy K., në përputhje me ligjet gjermane të privatësisë, u arrestua të enjten pranë qytetit bregdetar italian të Riminit, në bazë të një urdhër-arresti evropian.
Gjykata e Apelit në Bolonja, njoftoi se do të mblidhet sërish më 3 shtator për të shqyrtuar ekstradimin e mundshëm të tij në Gjermani. Sipas avokatit të të dyshuarit, një vendim përfundimtar mund të mos merret atë ditë.
I dyshuari deklaroi në gjykatë se është një ish-ushtar, sipas avokatit të tij, i cili foli për agjencinë Reuters përmes telefonit.
Një video e publikuar në rrjetet sociale e tregon të dyshuarin me pranga teksa dërgohej nga Rimini në gjykatën e Bolonjës, duke bërë një gjest provokues me tre gishta – simbol i stemës kombëtare të Ukrainës.
Sipas prokurorëve gjermanë, ai ishte pjesë e një grupi personash që vendosën pajisje shpërthyese në tubacionet pranë ishullit danez Bornholm në Detin Baltik.
Ai përballet me akuza për komplot, sabotim dhe shkatërrim të infrastrukturës së rëndësishme.
Arrestimi ndodh ndërkohë që Kievi po zhvillon bisedime intensive diplomatike me Shtetet e Bashkuara, për të gjetur një rrugëdalje nga lufta me Rusinë pa bërë lëshime territoriale të rëndësishme.
Policia italiane e arrestoi burrin në San Clemente, një qytet i vogël pranë Riminit, ku ai po kalonte pushimet me familjen. Arrestimi u bë në zbatim të një urdhër-arresti evropian.
Sipas një deklarate të prokurorëve gjermanë, i arrestuari dhe bashkëpunëtorët e tij janë nisur nga Rostock, në bregdetin verilindor të Gjermanisë, me një varkë me vela për të kryer sulmin. Anija ishte marrë me qira nga një kompani gjermane duke përdorur identitete të rreme përmes ndërmjetësve.
Top Channel