
Një lajm për një person të armatosur në kampusin e Universitetit Villanova në Pensilvani ishte një “mashtrim mizor,” tha presidenti i universitetit në një mesazh drejtuar studentëve.
“Fatmirësisht, askush nuk u lëndua, dhe tani e dimë se ishte një mashtrim mizor – nuk kishte asnjë person të armatosur, asnjë të lënduar dhe asnjë provë për praninë e armëve në kampus,” tha Peter M. Donohue.
Lajmi u raportua fillimisht nga CNN me përmbajtjen e mëposhtme:
Policia po i përgjigjet një raporti për një person të armatosur në Universitetin Villanova në Pensilvani, sipas një postimi nga Departamenti i Policisë së Radnor Township në faqen e tij në Facebook.
Policia tha se deri më tani nuk janë raportuar viktima. Banorëve aty pranë dhe studentëve u është kërkuar të qëndrojnë të strehuar deri sa një oficer policie t’i udhëheqë drejt sigurisë.
Personave në kampus u është kërkuar gjithashtu të qëndrojnë larg ndërtesës Scarpa Hall të shkollës së drejtësisë, të zhvendosen në një vend të sigurt dhe të mbyllin ose të bllokojnë dyert, sipas një njoftimi të universitetit në faqen e tij të internetit.
Forcat e rendit po kryejnë një kontroll të shkollës së drejtësisë për ndonjë viktimë ose të dyshuar, por natyra e saktë e incidentit mbetet ende e paqartë, sipas një burimi të policisë.
Policë të armatosur mund të shiheshin nga çatia, ndërsa dhjetëra forca policore dhe zjarrfikësish iu përgjigjën thirrjes në kampus, tregoi një video nga filiali i CNN, WPVI.
Orientimi dhe regjistrimi i studentëve të rinj filloi të enjten dhe është planifikuar të zgjasë deri të shtunën, ndërsa mësimet fillojnë të hënën, sipas kalendarit akademik të shkollës.
Studentët morën një email rreth incidentit rreth orës 4:35 pasdite ET, ndërkohë që në Rowen Campus Green po zhvillohej një meshë hapëse. Pas meshës ishte planifikuar një piknik familjar.
Villanova është një universitet privat katolik në periferi të Filadelfias.
Raportimet erdhën disa orë pasi Universiteti i Tenesit në Chattanooga dërgoi një alarm për një person të armatosur dhe kampusi u mbyll. Më vonë policia tha se autoritetet nuk gjetën “asnjë provë për ndonjë kërcënim.” Autoritetet po e hetojnë incidentin në Tenesi si një rast të mundshëm të një telefonate të rreme, tha një burim policor për CNN.
Top Channel