
Danimarka ka njoftuar se do të heqë taksat mbi kafenë dhe çokollatën në një përpjekje për të lehtësuar barrën mbi familjet e goditura nga rritja e çmimeve të ushqimeve.
“Ne kemi zgjedhur diçka që ka një ndikim të drejtpërdrejtë te danezët, të cilët mund të ndiejnë menjëherë se do të kenë më shumë para në dispozicion”, tha për TV2 zëvendëskryeministri Lund Poulsen, i cili është gjithashtu Ministër i Mbrojtjes dhe udhëheqës i Partisë Liberale.
Sipas Ministrisë së Tatimeve, një pako kafeje në Danimarkë do të kushtojë pesë korona më pak (66 centë euro).
E konsideruar më e vjetra në Danimarkë, taksa speciale mbi çokollatën zbatohet për të gjitha produktet që përmbajnë kakao, ëmbëlsira, fruta të sheqerosura dhe çamçakëz. Ajo arrin në 3 deri në 3.5 euro, varësisht nga përmbajtja e sheqerit në ushqim.
Sipas statistikave nga vendi, në korrik, çmimi i çokollatës u rrit me më shumë se 25.3% gjatë vitit të kaluar. Kafeja u bë 35.5% më e shtrenjtë.
Në përgjithësi, çmimet e ushqimeve u rritën me 6.5% nga viti në vit. Me heqjen e këtyre taksave, humbjet për financat publike të Danimarkës pritet të arrijnë në 2.4 miliardë korona (321 milionë euro).
Kujtojmë se Danimarka kishte njoftuar gjithashtu heqjen e TVSH-së për librat, me qëllim promovimin e leximit.
Top Channel