Zelensky akuzon Rusinë për shmangie të qëllimshme të një takimi me Putinin: Moska nuk kërkon paqe!

21/08/2025 21:32

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar të martën Kremlinin se po bën gjithçka për të shmangur një takim të drejtpërdrejtë me presidentin rus Vladimir Putin, për të diskutuar një zgjidhje të mundshme për luftën që ka hyrë në vitin e katërt.

Në fjalimin e tij të përnatshëm drejtuar qytetarëve dhe në postime në rrjetet sociale, Zelensky deklaroi se sulmet e fundit masive të Rusisë gjatë natës në disa rajone të Ukrainës ishin një mesazh i qartë për mungesën e vullnetit për paqe.

Aktualisht, sinjalet që po dërgon Rusia janë shumë të thjeshta dhe, për të qenë i sinqertë, të pahijshme. Ata po përpiqen të shmangin nevojën për të organizuar një takim,” tha Zelensky, duke iu referuar një samiti të mundshëm me Putinin, për të cilin janë shfaqur sinjale të përziera nga të dyja palët.

Presidenti ukrainas theksoi se lëvizjet e fundit të Moskës tregojnë jo vullnet për paqe, por përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit dhe përpjekje për t’i imponuar Ukrainës një zgjidhje sipas kushteve ruse.

Këto deklarata vijnë në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur publikisht dëshirën për të ndërmjetësuar një samit mes dy liderëve, por asnjë datë dhe format konkret nuk është vendosur ende, ndërsa kushtet e ngritura nga Rusia janë cilësuar të papranueshme nga Kievi.

Top Channel