Trump tërhiqet përkohësisht nga bisedimet e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës: Në fillim të takohen Putin e Zelensky

21/08/2025 12:31

Donald Trump synon t’ua lërë Rusisë dhe Ukrainës organizimin e një takimi mes liderëve të tyre pa luajtur vetë një rol direkt për momentin, sipas zyrtarëve të administratës të njohur me situatën, duke bërë një hap prapa nga negociatat për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës.

Hapi i radhës, sipas Trump-it, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë mbetet një takim dypalësh mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, thanë zyrtarët.

Trump u ka thënë këshilltarëve ditët e fundit se ai synon të organizojë një takim trepalësh me dy liderët vetëm pasi ata të kenë zhvilluar fillimisht një takim mes tyre, megjithëse mbetet e paqartë nëse ky takim fillestar do të ndodhë dhe Trump nuk ka ndërmend të përfshihet në atë përpjekje.

Në një intervistë telefonike me drejtuesin e talk-show Mark Levin në WABC të martën, Trump tha gjithashtu se mendonte se do të ishte më mirë që Putin dhe Zelenskyy të takoheshin pa të në fillim. “Unë thjesht dua të shoh se çfarë do të ndodhë në takim. Pra, ata janë në proces e sipër për ta organizuar dhe ne do të shohim se çfarë do të ndodhë.”

Hezitimi i Trump-it për t’i shtyrë Putin-in dhe Zelensky-në drejt një takimi vjen ndërsa ai ka pranuar ditët e fundit se përfundimi i luftës në Ukrainë ka qenë më i vështirë sesa kishte parashikuar, pasi vitin e kaluar në fushatë kishte thënë se mund ta arrinte për 24 orë.

Që atëherë, ai ka kërkuar një marrëveshje të shpejtë paqeje pasi afati i vendosur prej tij për Rusinë që t’i jepte fund luftës skadoi këtë muaj dhe tha pas takimeve me Zelenskyy-në dhe liderët europianë në Shtëpinë e Bardhë të hënën se kishte ndërmarrë hapa për një takim dypalësh.

Një zyrtar i lartë i administratës e përshkroi situatën si një qasje “prit e shiko” nga Trump, nëse mund të caktohet një takim Putin–Zelenskyy. Por ditët e fundit ka pasur pak shenja konkrete përparimi dhe Shtëpia e Bardhë nuk ka një listë vendndodhjesh të mundshme ku mund të mbahej takimi.

Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë se “Trump dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare vazhdojnë të angazhohen me zyrtarët rusë dhe ukrainas drejt një takimi dypalësh për të ndalur vrasjet dhe për t’i dhënë fund luftës… Nuk është në interes kombëtar që këto çështje të negociohen më tej publikisht.”

Pas takimeve në Shtëpinë e Bardhë, Trump foli me Putin-in në një telefonatë që zgjati rreth 40 minuta. Këshilltari i politikës së jashtme të Putinit, Yuri Ushakov, tha më pas se dy liderët ranë dakord që të caktoheshin negociatorë të rangut të lartë për bisedime direkte mes Rusisë dhe Ukrainës.

Kjo deklaratë sinjalizoi se një takim dypalësh mund të mbetet ende larg, edhe pse sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, shprehu optimizëm se mund të ndodhë brenda dy javësh dhe Putini ka refuzuar përpjekjet e mëparshme të Zelensky-t për t’u takuar ballë për ballë që nga fillimi i luftës.
Në një konferencë për shtyp të hënën në mbrëmje pas takimeve në Shtëpinë e Bardhë, Zelenskyy tha se takimi i liderëve evropianë me Trump u përqendrua te garancitë e sigurisë për Ukrainën në çdo marrëveshje paqeje, për të siguruar që Rusia të mos e rifillonte pushtimin.

Trump ofroi të kontribuonte në garancitë e sigurisë, por që atëherë ka përjashtuar vendosjen e trupave amerikane si pjesë e një force ushtarake në terren në Ukrainë. Çdo ndihmë nga SHBA pritet të vijë në formën e ndarjes së inteligjencës ose ndoshta mbështetjes ajrore amerikane.

Më herët, Steve Witkoff, i dërguari i posaçëm i Trump-it, kishte thënë në programin “State of the Union” të CNN pas samitit Trump–Putin në Alaskë se Putini kishte rënë dakord që SHBA të ofronte një garanci sigurie për Ukrainën që ngjante me nenin 5 të NATO-s për mbrojtje kolektive.

“Ne arritëm të fitonim këtë lëshim: që Shtetet e Bashkuara mund të ofronin mbrojtje të ngjashme me Nenin 5, e cila është një nga arsyet kryesore pse Ukraina dëshiron të jetë në NATO,” tha Witkoff.
Por pranimi i Putinit për garanci sigurie të ngjashme me ato të NATO-s mund të mos jetë aq i thjeshtë. Sergei Lavrov, ministri i jashtëm rus, ka sugjeruar gjithashtu që Rusia duhet të jetë një nga garantuesit e sigurisë për Ukrainën – një propozim për të cilin Shtëpia e Bardhë, sipas një zyrtari, është tallur privatisht.

“Pala ukrainase propozoi, dhe delegacioni ynë në atë kohë ra dakord, të hartohen garanci sigurie që do të përfshinin të gjithë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së – pra, Rusinë, Republikën Popullore të Kinës, Shtetet e Bashkuara, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar,” tha Lavrov.

Pas takimeve në Shtëpinë e Bardhë, Zelenskyy paraqiti gjithashtu një plan për të blerë armë amerikane me vlerë 90 miliardë dollarë përmes Evropës, për të fituar garancitë e sigurisë, si dhe për SHBA që të blinte dronë nga Ukraina. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse kjo bënte pjesë në marrëveshjen e armëve për Ukrainën që Trump njoftoi muajin e kaluar.

Top Channel