
Britanikja Ethel Caterham ka festuar 116-vjetorin e lindjes, duke u shpallur zyrtarisht njeriu më i vjetër në botë.
Ethel, e cila jeton në një shtëpi për të moshuar në Lightwater, Surrey (Angli), u bë personi më i vjetër në jetë në muajin prill të këtij viti, pas ndarjes nga jeta të murgeshës braziliane, Inah Canbarro Lucas, në moshën 116-vjeçare.
Ethel ka lindur më 21 gusht 1909, duke qenë kështu personi i fundit i mbetur gjallë nga koha e Edward VII. Madje, për ditëlindjen e saj të 115-të, mbreti aktual Charles III – stërnip i Edward VII – i dërgoi një kartolinë urimi.
Jeta e Ethel ka qenë një udhëtim i jashtëzakonshëm nëpër histori: ajo lindi tre vite përpara fundosjes së Titanikut, tetë vite para Revolucionit Rus dhe përjetoi dy luftëra botërore. E rritur në Wiltshire, ishte fëmija i parafundit nga tetë vëllezër e motra.
Në rininë e saj, punoi si dado në Indi, ndërsa më pas jetoi në Hong Kong dhe Gjibraltar së bashku me bashkëshortin e saj Norman, një kolonel në ushtri.
Shtëpia e kujdesit ku ajo jeton bëri një deklaratë për mediat, duke thënë: “Ethel dhe familja e saj janë thellësisht mirënjohës për të gjitha mesazhet dhe interesimin që i është treguar teksa ajo feston 116-vjetorin e saj këtë vit. Ajo do ta kalojë ditën në mënyrë të qetë me familjen, për ta shijuar sipas ritmit të saj. Faleminderit për urimet në këtë ditë të veçantë.”
Personi më i vjetër që ka jetuar ndonjëherë ka qenë francezja Jeanne Louise Calment, e cila vdiq në vitin 1997 në moshën 122 vjeç e 164 ditë.
Top Channel