Nga Toka në hapësirë! Panelet diellore të NASA-s mund të sigurojnë energji të qëndrueshme për të gjithë Europën deri në mes të shekullit

21/08/2025 20:04

Një studim i udhëhequr nga King’s College London zbuloi se panelet diellore të vendosura në hapësirë mund të reduktojnë nevojën e Evropës për energji të rinovueshme tokësore deri në 80% dhe të ulin kostot e sistemit energjetik me deri në 15%.

Përdorimi i këtyre paneleve, sipas një modeli të detajuar kompjuterik që përfshin 33 vende evropiane, gjithashtu mund të zvogëlojë përdorimin e baterive me më shumë se dy të tretat.

Panelet hapësinore përdorin dizajnin heliostat të NASA-s, ku pasqyra të ngjashme me ato diellore mbledhin rrezet e diellit në orbitë dhe i transmetojnë ato në Tokë, ku konvertohen në energji elektrike për rrjetin energjetik.

Dr. Wei He, autori kryesor i studimit, paralajmëroi se sfidat e hapësirës, si grumbullimi i satelitëve apo dëmtimet nga mbeturinat kozmike, mund të ndikojnë në funksionimin e sistemit. Megjithatë, ai theksoi potencialin e madh të SBSP (Space-Based Solar Power) për të ndihmuar vendet në arritjen e objektivave për zero emetime.

“Energjia e rinovueshme për të zëvendësuar karburantet fosile është veprimi më i rëndësishëm që po bëjmë si njerëz. Panelet diellore hapësinore mund të ofrojnë energji të qëndrueshme dhe të pandërprerë,” tha Dr. He.

Sipas studimit, teknologjia mund të bëhet realitet ekonomik vetëm pas vitit 2050, pasi kostot e ndërtimit, nisjes dhe mirëmbajtjes janë shumë të larta për momentin. Japonia tashmë po zhvillon dhe integron këtë teknologji në strategjinë e saj hapësinore dhe për net-zero.

Top Channel