Itali/ Tragjedi në Koloseum, vdes ciceroni 56-vjeçar

21/08/2025 15:27

Roma është tronditur nga vdekja e papritur e një guide turistike 56-vjeçare brenda Koloseut, ndërsa shoqëronte turistët në vapën përvëluese.

Incidenti ka rigjallëruar thirrjet nga profesionistët e industrisë për të rishqyrtuar orarin e hapjes së monumenteve më të rëndësishme të kryeqytetit italian gjatë verës.

Pavarësisht përpjekjeve të turistëve dhe ekipeve të shpëtimit për ta ringjallur, gruaja nuk mundi të mbijetonte dhe vdiq në vendngjarje.

Pas incidentit tragjik, Shoqata e Guidave Turistike Italiane të Çertifikuara (AGTA) përsëriti nevojën për të ndryshuar orarin e vizitave gjatë verës në Kolose dhe në Zonën Arkeologjike që përfshin Forumin Romak dhe Kodrën Palatine. Siç thekson në një deklaratë, puna jashtë nga ora 10:00 deri në orën 16:30 është bërë e padurueshme për shkak të krizës klimatike.

Zona aktualisht operon nga ora 8:30 deri në orën 19:15 nga fundi i marsit deri në fund të shtatorit. Megjithatë, AGTA kërkon që orari të zhvendoset nga ora 7:00 në orën 20:15 të paktën gjatë periudhës qershor-gusht, në mënyrë që të shmanget ekspozimi i punëtorëve dhe turistëve ndaj vapës së mesditës.

Top Channel