
Një gjykatë apeli ka rrëzuar një gjobë prej 500 milionë dollarësh (rreth 372 milionë paund) që Presidenti Donald Trump ishte urdhëruar të paguante vitin e kaluar në një gjyq civil për mashtrim në Nju Jork.
Gjykatësi Arthur Engoron kishte vendosur që Trump të paguante këtë shumë pasi kishte rritur në mënyrë të konsiderueshme vlerën e pasurive të Organizatës Trump, me qëllim për të siguruar kushte më të favorshme për kredi.
Në vendimin e tyre, gjyqtarët e Divizionit të Apelit të Gjykatës Supreme të Nju Jorkut thanë se, megjithëse Trump ishte përgjegjës për mashtrim, gjoba prej gati gjysmë miliardë dollarësh ishte e tepruar dhe përbënte shkelje të mbrojtjeve kushtetuese të SHBA-së kundër dënimeve të ashpra.
Fillimisht, gjykatësi Engoron kishte vendosur një gjobë prej 355 milionë dollarësh, por me akumulimin e interesave, shuma përfundimtare u rrit në mbi 500 milionë dollarë.
Në këtë çështje civile kundër Trump, dy djemve të tij të rritur dhe Organizatës Trump, gjykatësi kishte urdhëruar gjithashtu që Trump të mos shërbente si drejtues kompanie apo të merrte kredi nga bankat në shtetin e Nju Jorkut për një periudhë trevjeçare.
Paneli prej pesë gjyqtarësh të Apelit ishte i ndarë në lidhje me meritat e padisë fillestare të ngritur nga Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, e cila kishte akuzuar Trumpin dhe djemtë e tij për “mashtrim të vazhdueshëm dhe të përsëritur”.
Top Channel