“Dy javë kohë për paqen”/ Zelensky gati të takojë Putin, presidenti Trump: Nëse s’bien dakord, ndryshojmë plan

21/08/2025 22:14

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky përsëriti edhe një herë se është i gatshëm të takohet me presidentin rus Vladimir Putin, por vetëm pasi të arrihet një marrëveshje për garancitë e sigurisë.

“Dhe mbi këtë bazë, ne synojmë një takim trepalësh,” sqaroi ai për gazetarët në Kiev, duke iu referuar mundësisë së një samiti pa praninë e Donald Trump si ndërmjetës.

Ndërsa presidenti amerikan deklaroi në një intervistë të enjten se brenda dy javësh do të bëhet e qartë “nëse do të ketë paqe në Ukrainë, në një mënyrë ose në një tjetër.” Ai nënvizoi se, nëse paqja nuk arrihet, “ndoshta do të na duhet të miratojmë një strategji të ndryshme,” duke lënë të hapur mundësinë për ndryshim kursi ndaj luftës.

Megjithatë, presidenti amerikan Donald Trump, sipas një raportimi nga “The Guardian”, është shprehur se do të ishte më e përshtatshme që udhëheqësit ukrainas dhe rus të zhvillonin një takim dypalësh fillestar, përpara çdo ndërhyrjeje të jashtme. Trump gjithashtu kritikoi ish-presidentin Joe Biden, duke e akuzuar se nuk e lejoi Ukrainën të ndërmerrte sulme ndaj Rusisë, një veprim që Trump e konsideroi thelbësor për të fituar luftën. “Është shumë e vështirë, ndoshta e pamundur, të fitosh një luftë pa sulmuar vendin pushtues,” theksoi ai.

Ndërkaq, zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance ka rrëfyer një prapaskenë me Zelenskyn në një intervistë për Fox News. Ai ka pranuar se e kishte paralajmëruar presidentin ukrainas për takimin e dytë në Shtëpinë e Bardhë. “Z. President, për sa kohë që ju silleni mirë, unë nuk do të them asgjë,” i kishte thënë Vance Zelenskyt, i cili, sipas tij, kishte reaguar me një buzëqeshje diplomatike.

Top Channel