Bolsonaro po planifikonte të kërkonte azil politik në Argjentinë, çfarë zbuloi dokumenti i gjetur në telefonin e ish-presidentit

21/08/2025 12:51

Policia braziliane ka pohuar në dokumentet e gjykatës se ka gjetur një dokument në telefonin celular të ish-presidentit Jair Bolsonaro që tregon se ai kishte planifikuar të ikte në Argjentinë përpara gjykimit të tij për dyshimet se kishte komplotuar një grusht shteti.

Populisti i ekstremit të djathtë përballet me një dënim me burg prej mbi 40 vitesh kur gjykata supreme e Brazilit të mblidhet muajin tjetër për të vendosur nëse ai është fajtor për komplot për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2022, të cilat Bolsonaro i humbi ndaj kundërshtarit të tij të majtë Luiz Inácio Lula da Silvaa, sipas The Guardian.

Bolsonaro i mohon akuzat, por disa ekspertë ligjorë dhe politikë besojnë se bazuar në peshën e provave dënim do të jetë i rëndë.

Të mërkurën, hetuesit e policisë federale paraqitën një raport prej 170 faqesh në gjykatën supreme duke pretenduar se kishin gjetur një dokument që ishte ruajtur në telefonin e ish-presidentit në shkurt të vitit 2024 – dy ditë pasi pasaporta e tij u sekuestrua si rezultat i hetimit të grushtit të shtetit. Në raport – i cili u shqyrtua nga The Guardian policia tha se dokumenti tregonte se ai po planifikonte të kërkonte azil politik në Argjentinë, e cila qeveriset nga aleati i tij i ekstremit të djathtë Javier Milei.

“Në vendin tim të origjinës po persekutohem për arsye dhe krime thelbësisht politike”, pretendon kërkesa e dyshuar për azil e Bolsonaros, duke e përshkruar ish-presidentin si “një person të persekutuar politikisht”.

Letra pa datë dhe pa firmë i drejtohej “presidentit më të shkëlqyer të Argjentinës, Javier Gerardo Miliei [sic]”. Ajo pretendonte se Bolsonaro “po përballej me arrestim të menjëhershëm” – diçka që kërkesa për azil thoshte se do të ishte “e padrejtë, e paligjshme, arbitrare dhe jokushtetuese”.

Një burim nga qeveria argjentinase i tha agjencisë së lajmeve Reuters se zyra e Mileit nuk kishte marrë asnjë letër.

Bolsonaro, i cili qeverisi Brazilin nga viti 2019 deri në fund të vitit 2022, këmbëngul se shpreson të sfidojë Lulën në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, pavarësisht se gjykata supreme tashmë i ka ndaluar të kandidojë për shkak të përhapjes së dezinformatave. Ai aktualisht jeton në arrest shtëpiak në kryeqytetin Brasília, pasi gjykata supreme zbuloi se ai kishte shkelur një urdhër gjykate që e ndalonte të përdorte mediat sociale.

Në raportin e tyre drejtuar gjykatës supreme, policia federale pretendoi se letra tregonte se Bolsonaro kishte “planifikuar të largohej nga vendi, me qëllim që të parandalonte zbatimin e ligjit”.

Akuza se Bolsonaro kishte planifikuar të largohej nga Brazili për në Argjentinë erdhi ndërsa policia federale akuzoi zyrtarisht ish-presidentin dhe djalin e tij kongresmen, Eduardo Bolsonaro, se po përpiqeshin të ndërhynin në vendimin e ardhshëm të Bolsonaros duke inkurajuar zyrtarët amerikanë të bënin presion mbi gjykatën supreme. 

Eduardo Bolsonaro u zhvendos në SHBA në shkurt dhe ka kaluar muajt e fundit duke lobuar administratën e Donald Trump për të ushtruar presion mbi gjyqtarët e gjykatës supreme të Brazilit dhe qeverinë e Presidentit Lula në lidhje me gjyqin e babait të tij.

Në korrik, Trump vendosi tarifa prej 50% mbi importet braziliane në hakmarrje për atë që ai e quajti një “gjueti shtrigash” kundër Bolsonaros dhe njoftoi sanksione kundër Alexandre de Moraes, gjyqtarit të gjykatës supreme që kryesoi gjyqin e Bolsonaros.

Tetë nga 11 gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të Brazilit, përfshirë Moraes, janë hequr nga vizat e tyre amerikane, ashtu si edhe gruaja dhe vajza 10-vjeçare e njërit prej aleatëve më të ngushtë të Lulës, ministrit të shëndetësisë Alexandre Padilha.

“Është vërtet një ekzekutim politik që po përpiqen ta bëjnë me Bolsonaronon. Mendoj se kjo është e tmerrshme”, u tha Trump gazetarëve javën e kaluar.

Në zhvillime të tjera në një ditë dramatike për politikën braziliane, Silas Malafaia, një pastor ungjillor i fuqishëm dhe i pasur, i cili është një nga mbështetësit më të zëshëm të Bolsonaros, u mor në pyetje nga policia pasi u kthye nga Portugalia në Rio.

Malafaia, i cili po hetohet gjithashtu nga policia federale për dyshimet se edhe ai u përpoq të ndikonte në rezultatin e gjyqit të Bolsonaros, tani i është ndaluar të largohet nga vendi, të komunikojë me Bolsonaron dhe djalin e tij Eduardo dhe është urdhëruar të dorëzojë pasaportat e tij.

Top Channel