
Ushtria izraelite nisi fazat e para të ofensivës së paralajmëruar tokësore.
Tanket izraelite hynë që në mëngjes në periferitë e qytetit, që është shtëpi e mbi një milion palestinezëve. Mësymja nga toka vjen pas disa bombardimesh intensive dhe zjarri artilerie. Perëndimi e dënoi ashpër këtë lëvizje dhe i kërkoi Netanyahut që të ndalej.
Kryeministri izraelit reagoi mbrëmjen e së enjtes duke thënë se Izraeli është i gatshëm të vazhdojë negociatat për lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve që mbahen në Rripin e Gazës si dhe për ndërprerjen e luftës, porse vetëm në kushte që janë të pranueshme për shtetin hebraik.
“Kam dhënë disa instruksione për të filluar menjëherë negociatat për lirimin e të gjitha pengjeve tona dhe për fundin e luftës në kushte të pranueshme për Izraelin”, ka thënë ai, duke iu përgjigjur edhe propozimit për armëpushim të përkohshëm të iniciuar nga Egjipti dhe Katari, të cilin grupi militant palestinez Hamas e kishte pranuar në fillim të javës.
Sakaq, bilanci i civilëve të vrarë është tragjik. Shifrat e bazës së të dhënave të Ushtrisë izraelite kanë treguar se 5 nga 6 palestinezë të vrarë nga fushata ushtarake në Rripin e Gazës kanë qenë civilë, shkallë ekstreme e cila vështirë se mund të barazohet me luftërat e tjera të dekadave të fundit.
Deri në muajin maj rezulton se 53,000 palestinezë ishin vrarë si pasojë e sulmeve të Izraelit, bazuar në shifrat e ofruara nga autoritetet shëndetësore në Rripin e Gazës.
Luftëtarët e grupeve militante përbëjnë vetëm 17 për qind të totalit, gjë që tregon se 83 përqindëshi tjetër ishin civilë.
Top Channel