
Deputetja e zgjedhur e Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi i është përgjigjur sërish kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, duke e akuzuar se nuk njeh anëtarët e PD.
Çaushi i referohet një prej publikimeve të bëra nga Bardhi në rrjetet sociale, ku ky i fundit pretendon për deformim të procesit zgjedhor nga ana e socialistëve në një prej qendrave të votimit në qarkun e Fierit.
Çaushi i drejtohet Bardhit duke i thënë se po vijon të ‘gabojë e të turpërohet’, ndërsa i ‘vjen në ndihmë’ duke ‘identifikuar’ ata që shfaqen në videon e publikuar nga kreu i grupit parlamentar demokrat.
“O gazo, po s’ka nevojë ta marrë vesh çdo ditë e gjithë dynjaja që ti nuk njohe kurrë komisionerët e PD-së në qarkun e Fierit, e jo më votuesit. Po s’ka nevojë o xhan ta marrë vesh i madh e i vogël që ti dhe qarku i Fierit nuk keni asnjë lidhje.
Dole tani me një video që ty të paskan vjedhur votën në Tërbuf. Po mirë, pyet një herë, para se të nxjerrësh nga këto perlat që nxjerr, pyet një herë si turist kalimtar që ishe, kush janë këta që po tundin kutinë. Ja ta them unë, e ta marrin vesh të gjithë Gazo që ti vetëm drejtues politik nuk je. I pari është Behar Gjoshi, sekretari i komisionit për Partinë Demokratike dhe i dyti, Denis Murrizi, anëtar komisioni për PD-në”, vijon Çaushi.
Deputetja e qarkut Fier e mbyll reagimin e saj me një sugjerim, jo pa ironi, drejtuar Gazment Bardhit. “Po le nam o Gazo, le nam. Del denoncon komisionerët që as nuk i njeh. Thuaj Bababufit të të çojë në Kavajë, më dëgjo mua. Ndoshta atje i njeh. Mirupafshim deri në gafën e radhës”, shpreh Çaushi në rrjetet sociale.
View this post on Instagram
Postimi i Bardhit më herët në Facebook:
Episodi 6/ VOTIM I KONTROLLUAR = FARSË ELEKTORALE
Kurrë në historinë e zgjedhjeve nuk ka ndodhur kontrolli masiv i votës dhe dhunimi brutal i fshehtësisë së saj, siç ka ndodhur me urdhër kriminal të Belinda Ballukut në zgjedhjet e 11 Majit në qarkun Fier.
Nuk iu mjafton vetëm qëndrimi mbi kokë ndërkohë që qytetarët votojnë në dhomën e fshehtë, por kontrollojnë fletët e votimit edhe pasi ato janë hedhur në kutinë e votimit.
Pamjet më poshtë i përkasin QV 2846, njësia administrative Tërbuf, Bashkia Divjakë, ku dallohet qartësisht komisioneri i PS që nxjerr fletën e votimit nga kutia, verifikon se si ka votuar qytetari dhe më pas e rihedh në kuti.
Dhunimi i fshehtësisë së votës përveçse një vepër penale që vijon të mbetet e pandëshkuar, është edhe akti më i shëmtuar që i kthen votimet në farsë, duke paracaktuar rezultatin e zgjedhjeve, përmes kontrollit masiv të votës me patronazhistë të shndërruar në terroristë elektoral.
Top Channel