Uragani Erin kërcënon Bregun Lindor të SHBA-ve me dallgë shkatërruese dhe rryma të rrezikshme detare

20/08/2025 12:49

Uragani Erin, aktualisht i kategorisë 2 po shkakton rryma të rrezikshme dhe dallgë të larta në pjesën më të madhe të Bregut Lindor të Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë që nuk pritet të godasë drejtpërdrejt tokën, ndikimi i saj në brigje është i ndjeshëm dhe i rrezikshëm. Pjesa më e prekur pritet të jetë Outer Banks në Karolinën e Veriut, ku priten dallgë shkatërruese dhe ngritje e nivelit të detit, sipas CNN.

Guvernatori i Karolinës së Veriut, Josh Stein, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme të martën, për të lehtësuar mobilizimin e burimeve në përgatitje për ndikimet e uraganit. Efektet më të rënda priten të fillojnë nga dita e mërkurë.

Pavarësisht se nuk do të godasë drejtpërdrejt, Erin po shkakton probleme serioze. Në Karolinën e Veriut janë kryer dhjetëra operacione shpëtimi për shkak të rrymave të fuqishme.

Në Wrightsville Beach, mbi 60 persona u shpëtuan vetëm të hënën, ndërsa mbi një duzinë të martën.

Drejtori i shpëtimit oqeanik në qytet, Sam Proffitt paralajmëroi për rryma të gjera dhe shumë të forta që janë të rrezikshme edhe për notarët më të mirë. “Nuk ka rëndësi sa mirë noton, ky është ujë me shumë energji që të tërheq me forcë,” tha ai.

Edhe në shtetet e tjera si Maryland, Virginia, Delaware, New Jersey dhe New York City, autoritetet kanë ndaluar larjen në plazhe deri në përmirësimin e situatës.

Një paralajmërim për stuhi tropikale është lëshuar për pjesën qendrore të bregdetit të Karolinës së Veriut deri në kufirin me Virxhinian, ku priten erëra me shpejtësi deri në 117 km/h brenda 36 orëve. Një tjetër paralajmërim është dhënë për zonat në veri të këtij kufiri deri në Chincoteague, Virginia, si dhe për Bermudën.

Qarku Dare dhe Hyde, që përfshijnë pjesën më të madhe të Outer Banks, kanë shpallur gjendje emergjente lokale dhe kanë urdhëruar evakuime të detyrueshme për ishujt Hatteras dhe Ocracoke.

Zyrtarët lokalë po shprehin shqetësim se njerëzit po nënvlerësojnë rrezikun sepse stuhia nuk do të prekë drejtpërdrejt tokën. “Shumë mendojnë se nuk do të kemi probleme pasi nuk do të kemi goditje direkte, por kjo është një situatë serioze,” tha Robert Outten, administratori i Qarkut Dare.

Ndërkohë, sezoni i uraganeve në Atlantik po intensifikohet dhe sinoptikanët paralajmërojnë se një tjetër stuhi mund të formohet pas Erin.

Top Channel