Një konflikt për motive të dobëta në Laç ka përfunduar me plagosjen e një 50-vjeçari me thikë dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar.

Policia bën me dije se shërbimet e Komisariatit të Kurbinit ndërhynë mbrëmjen e djeshme, pas njoftimit për një plagosje me mjet prerës. Si rezultat, u identifikua dhe u vu në pranga shtetasi E. D., alias E. B., 33 vjeç, banues në Laç.

Ky shtetas dyshohet se, rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme, pas një konflikti për motive të dobëta, plagosi me thikë në krah shtetasin A. H., 50 vjeç, banues në fshatin Gjormë. Viktima u dërgua menjëherë në Spitalin e Traumës, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka sekuestruar thikën e përdorur në ngjarje, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.

Top Channel