Paqe pas tarifave të Trump, India dhe Kina rinisin lidhjet tregtare e fluturimet direkte

20/08/2025 08:54

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, dhe ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, kanë vlerësuar “përparimin e qëndrueshëm” në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke rënë dakord të rifillojnë lidhjet tregtare, fluturimet direkte dhe shkëmbimet kulturore, si dhe të punojnë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së gjatë kufitare në Himalaje.

Vizita e Wang Yi në Nju Delhi u zhvillua në një klimë të re gjeopolitike të shkaktuar nga regjimi i tarifave të presidentit amerikan Donald Trump, që ka tronditur rendin ndërkombëtar. Sipas njoftimeve nga Pekini, palët ranë dakord gjithashtu për lëshimin e vizave për gazetarët dhe lehtësimin e shkëmbimeve të biznesit.

Modi, në rrjetet sociale, theksoi respektin për “interesat dhe ndjeshmëritë reciproke”, ndërsa Ministria e Jashtme e Kinës deklaroi se marrëdhëniet janë futur në një “rrugë zhvillimi të qëndrueshëm” dhe se dy vendet duhet të “besojnë dhe të mbështesin” njëra-tjetrën.

Ky takim paraprin vizitën e pritshme të Modi-t në Pekin në tetor, ku do të takohet me presidentin Xi Jinping – udhëtimi i tij i parë në Kinë që prej vitit 2018.

Marrëdhëniet mes dy fuqive bërthamore ranë ndjeshëm në vitin 2020, kur përplasjet kufitare në Himalaje shkaktuan viktima – 20 ushtarë indianë dhe 4 kinezë. Pas një sërë bisedimesh, palët kanë pranuar një pakt mbi patrullimet dhe kanë tërhequr forcat shtesë nga kufiri, por ende vazhdojnë të fortifikojnë pozicionet e tyre.

Në takimin e fundit, Wang Yi dhe këshilltari indian i sigurisë kombëtare, Ajit Doval, diskutuan për “de-eskalimin, delimitimin dhe çështjet kufitare”. Media shtetërore kineze raportoi se të dy vendet ranë dakord të “eksplorojnë mundësinë e përparimit të negociatave për demarkacionin e kufirit”

Megjithatë, India ka shprehur shqetësim për planet e Kinës për ndërtimin e një hidrocentrali gjigant në lumin Yarlung Tsangpo në Tibet, i cili pritet të bëhet më i madhi në botë dhe që mund të ndikojë në komunitetet poshtë rrjedhës.

Ekspertët theksojnë se tarifat e Trump dhe dobësimi i perceptuar i pranisë amerikane në rajonin Indo-Paqësor kanë nxitur Delhin dhe Pekinin të stabilizojnë marrëdhëniet, por sipas analistëve, “diferencat themelore” dhe çështjet e sigurisë nuk do të zhduken.

Pas Indisë, Wang Yi do të vizitojë edhe Pakistanin, aleatin e ngushtë të Kinës dhe rivalin historik të Indisë, ku Pekini shpreson të forcojë bashkëpunimin me të dy vendet.

Top Channel