Negociatat për programin bërthamor të Iranit, ministri i Jashtëm iranian: Bisedimet me SHBA-në do të mbahen kur të vijë koha e duhur

20/08/2025 16:57

Irani dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur në pikën ku mund të zhvillohen bisedime “efektive” për programin bërthamor, tha diplomati më i lartë i Teheranit në deklaratat e transmetuara nga mediat shtetërore.

“Negociatat me Shtetet e Bashkuara duhet të zhvillohen kur të vijë koha e duhur. Çdo negociatë ka një moment specifik të quajtur ‘pjekuri negociuese’ dhe duhet të arrijë atë pjekuri për t’u zhvilluar”, tha Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi.

“Sipas mendimit tim, ende nuk kemi arritur në pikën e pjekurisë ku mund të zhvillohen negociata efektive me Shtetet e Bashkuara”, shtoi ai.

Teherani paralajmëron se do të përdorë raketa të reja nëse sulmohet nga Izraeli. Irani tha se ishte gati të përdorte raketa të reja nëse sulmohej përsëri nga Izraeli, tha të martën Ministria iraniane e Mbrojtjes.

“Raketat e përdorura gjatë luftës 12-ditore u prodhuan nga Ministria e Mbrojtjes disa vjet më parë”, u citua të thoshte gjenerali Aziz Nasirzadeh nga agjencia e lajmeve Irna.

“Sot kemi prodhuar raketa me aftësi shumë më të larta dhe nëse armiku sionist e fillon përsëri këtë aventurë, padyshim që do t’i përdorim ato”, shtoi ai.

Pas marrëveshjes së armëpushimit, politikanët dhe zyrtarët ushtarakë iranianë kanë thënë se vendi është gati për një përballje të re, megjithëse nuk kërkon luftë.

Sot, agjencia e lajmeve Tasnim raportoi se stërvitjet ushtarake do të mbahen nesër, të enjten dhe të premten, “në veri të Oqeanit Indian dhe Detin e Omanit”.

Më shumë se 1,000 njerëz u vranë në Iran gjatë luftës së qershorit, sipas autoriteteve iraniane. Izraeli, nga ana e tij, raportoi 28 vdekje. Vendet perëndimore dhe Izraeli akuzojnë Iranin se kërkon të sigurojë armë bërthamore, diçka që Teherani e mohon.

 

Top Channel