Dron rusë në Poloni, artikulohet “Neni 5” për sigurinë, është zbatuar vetëm një herë

20/08/2025 19:46

Një dron rus shpërtheu në territorin e Polonisë, ndërsa reagoi menjëherë ministri i jashtëm, Radoslav Sikorski, duke e cilësuar provokimin e radhës nga Moska.

Po ashtu, orët e fundit mediat raportojnë se zbatimi i “Nenit 5” të NATO-s po artikulohet gjithnjë e më shumë nga liderët europianë në lidhje me Ukrainën, e cila në fakt nuk është midis 32 vendeve të aleancës.

Ideja lindi më 6 mars, në Këshillin Evropian, ku kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni ishte e para që u propozoi aleatëve zgjerimin e garancive të ofruara nga “Neni 5” për Ukrainën.

Ky propozim është i njëjti që Trump i bëri më vonë Putinit në samitin e Alaskës. Neni 5 i traktatit të NATO-s është gurthemeli i Aleancës Atlantike.

Neni 5 i NATO-s

“Palët bien dakord që një sulm i armatosur kundër njërës ose më shumë prej tyre në Evropë ose Amerikën e Veriut do të konsiderohet një sulm kundër të gjithave, dhe si pasojë ato bien dakord që nëse ndodh një sulm i tillë, secila prej tyre, në ushtrim të së drejtës së vetëmbrojtjes të njohur në Nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, do të ndihmojë Palën ose Palët e sulmuara duke ndërmarrë menjëherë, individualisht dhe në bashkëpunim me Palët e tjera, veprime të tilla që i konsideron të nevojshme, duke përfshirë përdorimin e forcës së armatosur.”

Megjithatë, pjesa ku thuhet që “secili vend e konsideron të nevojshëm” nuk do të thotë automatikisht përdorimin e ndërhyrjes ushtarake. Kjo në fakt ka shërbyer si një pengesë për të gjitha këto vite.

Neni 5 i NATO-s është zbatuar vetëm një herë, pas sulmeve të Al Kaedës në Kullat Binjake dhe Pentagonin më 11 shtator 2001.

Pak javë pas sulmit, më 2 tetor, u pranua se sulmi kishte origjinën nga jashtë dhe u mor vendimi për të dërguar trupa të NATO-s në Afganistan.

 

Top Channel