
Dy fotografi të vjetra familjare tregojnë të njëjtin grupm një grua me flokë të shkurtër, një vajzë e vogël me një fustan me vija dhe një burrë me uniformë.
Por ka një ndryshim mes këtyre imazheve, të ruajtura mirë, në njërën, burri mban veshur një uniformë të Wehrmacht-it gjerman, në tjetrën, uniforma është modifikuar për të fshehur lidhjen e tij me shërbimin ushtarak gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Këto fotografi, të dhuruara Muzeut të Gdańsk nga djali i vajzës me fustanin me vija, janë pjesë e një ekspozite të re që trajton rekrutimet e detyruara të pomeranezëve në ushtrinë gjermane. E titulluar “Djemtë Tanë”, ekspozita përfshin albume familjare, objekte personale dhe dëshmi të polakëve që shërbyen në Wehrmacht. Ajo ngre pyetje të vështira: A mund të jetë dikush njëherazi viktimë dhe ushtar i një agresori? Ekspozita sugjeron se përballja me këto kompleksitete është thelbësore për identitetin kombëtar. Siç pritej, reagimet kanë qenë të forta dhe të ndara.
Pas pushtimit gjerman në shtator 1939, disa rajone polake – përfshirë Pomeraninë, Silesinë dhe Poloninë e Madhe – u aneksuan drejtpërdrejt nga Rajhu. Banorët e këtyre zonave u regjistruan në Listën Gjermane të Popullsisë (Deutsche Volksliste), e cila kategorizonte banorët sipas “gjermanishtes” së tyre. Për burrat në moshë ushtarake, kjo shpesh nënkuptonte rekrutim të detyruar në Wehrmacht. Ata që refuzonin, dezertonin ose përpiqeshin të bashkoheshin me forcat polake ose partizanët, përballeshin me dënim me vdekje ose deportim në kampet e përqendrimit.
Sipas historianëve, nga 400,000 deri në 450,000 qytetarë të Republikës së Dytë Polake shërbyen në ushtrinë gjermane – një numër më i madh se ata që shërbyen në Ushtrinë e Brendshme, lëvizjen kryesore të rezistencës në Poloninë e pushtuar. Muzeu i Gdańsk argumenton se ky realitet duhet pranuar, për të mundësuar një ballafaqim të ndershëm me të kaluarën.
Por jo të gjithë janë të gatshëm ta pranojnë këtë të vërtetë në formën e paraqitur. Jarosław Kaczyński, kreu i partisë së djathtë Ligj dhe Drejtësi (PiS), deklaroi në platformën X se ekspozita “Djemtë Tanë” relativizon fajin për Luftën e Dytë Botërore dhe ua atribuon pjesërisht polakëve. Ish-presidenti Andrzej Duda e quajti përdorimin e termit “tanët” për këta ushtarë një provokim moral, pavarësisht faktit se shërbimi i tyre ishte i detyruar.
Në mbrojtje të saj, muzeu tha se kundërshton “vlerësimet e padrejta dhe sipërfaqësore” dhe theksoi se titulli “Djemtë Tanë” kishte për qëllim të theksonte se këta njerëz ishin pjesë e komuniteteve polake – jo për t’i glorifikuar ata.
Ndërkohë, jashtë muzeut u mbajtën protesta të organizuara nga simpatizantë të PiS-it, të cilët akuzuan ekspozitën për zbardhje të historisë dhe zbehje të vijave mes viktimës dhe autorit. Ata kritikuan titullin, i cili është një përkthim i termit “ons jongen” të përdorur për rastet e ngjashme në Luksemburg.
Muzeu i Kryengritjes së Varshavës, i cili nderon luftëtarët e rezistencës së vitit 1944, kontribuoi në debat duke postuar në Facebook një fotografi të kryengritësve adoleshentë me mbishkrimin “djemtë tanë”. Postimi ndezi një debat publik mbi kuptimin e fjalës “tanët” dhe mbi identitetin polak.
Andreas Kasperski, donatori i dy fotove të përmendura në fillim, tha se reagimet negative e kanë bërë të frikësohet për sigurinë e nënës së tij. “Kisha frikë se, duke vizituar ekspozitën, ajo mund të ndeshej me dikë me qëndrime jashtëzakonisht patriotike dhe konfrontuese”, u shpreh ai. “Deri një vit më parë, kjo nuk do të më kishte shkuar në mendje.”
Muzeu ka marrë mbështetje nga Shoqata Kashubiane-Pomeraneze, e cila në një deklaratë theksoi se shumë kritikë nuk janë të vetëdijshëm për realitetet historike të jetës në Pomerani, Kashubi dhe Kociewie. Sipas shoqatës, ekspozita është e domosdoshme sepse nxjerr në dritë përvoja që janë përjashtuar për vite nga kujtesa zyrtare.
Roman Rakowski, ish-komandant i marinës polake dhe pjesëmarrës në rezistencën Grey Ranks, i cili mbushi 100 vjeç vitin e kaluar, i shkroi një letër të hapur muzeut ku përkujton shtypjen e dhunshme dhe deportimet në Pomerani. “Këta ishin djemtë tanë, djem të familjeve të tyre, të detyruar të shërbenin në ushtrinë armike për të shpëtuar të dashurit e tyre,” shkroi ai. “Është më e lehtë të gjykosh sesa të përballesh me një realitet të tillë.”
Andrzej Hoja, kuratori i ekspozitës, thotë se kjo pjesë e historisë është e njohur në nivel lokal, veçanërisht në Pomerani, por shumë pak e përfshirë në kurrikulën shkollore të Polonisë. “Shumë familje ruajnë fotografi nga ajo kohë sepse janë të vetmet që kanë. Por në debatin kombëtar, të pranosh që ke një të afërm të rekrutuar në Wehrmacht mund të të bëjë shënjestër.” Ai përmend rastin e Donald Tusk, i cili humbi zgjedhjet presidenciale të vitit 2005 pasi u zbulua se gjyshi i tij pomeranez kishte shërbyer në ushtrinë gjermane.
Prof. Cezary Obracht-Prondzyński, historian në Universitetin e Gdańsk, thekson se kjo polemikë pasqyron dallimet e thella midis rajoneve kufitare dhe atyre qendrore në ndërtimin e identitetit kombëtar. Në qytete si Varshava, Kraków dhe Lublin, identiteti polak ishte i qartë – gjuha, feja dhe historia e rezistencës i bashkonin njerëzit. Por në zona kufitare si Silesia, Kashubia, Warmia, Masuria dhe Tokat Lindore, realiteti ishte më kompleks: shumë gjuhë, fe të ndryshme dhe familje të përziera që shpesh shërbenin në ushtri të ndryshme.
“Njerëzit nga zonat qendrore mund të ndjekin një narrativë të thjeshtë – ne kundër tyre. Por ata nga zonat kufitare jetonin në një realitet më të ndërlikuar,” thotë ai. “Pa pranimin e këtij kompleksiteti, historia rrezikon të përsërisë modelet përjashtuese të së kaluarës evropiane.”
Ekspozita “Djemtë Tanë” do të jetë e hapur në Muzeun e Gdańsk, në Bashkinë Kryesore të Qytetit, deri më 10 maj 2026.
Top Channel