
Policia në Teksas ka nisur kërkimin për Troy Dugasin, i cili gabimisht u lirua nga burgu edhe pse duhej të vuante një dënim pesëvjeçar.
Zyra e sherifit të qarkut Harris konfirmoi se Dugas u lirua pasdite dhe publikoi një fotografi të tij.
Sipas zyrës së sherifit, Dugas duhej të fillonte vuajtjen e dënimit pesëvjeçar për sulm ndaj një anëtari të familjes, plus një dënim shtesë dyvjeçar për shmangie nga arrestimi. Të dyja incidentet për të cilat u dënua kanë ndodhur në qarqe afër Houstonit.
Autoritetet shpjeguan se Dugas ishte në burgun e qarkut Harris që nga 14 gushti për akuza të tjera lokale, të cilat më pas u hedhën poshtë, duke çuar në lirimin e tij.
“Do të kryhet një hetim i thellë për të përcaktuar rrethanat që çuan në lirimin e gabuar të Dugasit nga burgu”, thuhet në njoftim.
“Indikacionet paraprake tregojnë se stafi i burgut nuk dokumentoi siç duhet dënimin shtetëror në dosjen e tij, gjë që çoi në supozimin e gabuar se Dugas plotësonte kushtet për lirimin pasi akuzat e qarkut Harris kundër tij u hodhën poshtë”, thuhet më tutje.
Zyra e sherifit nuk ka dhënë ende përgjigje për kërkesat për informacione shtesë. Ata kanë publikuar përshkrimin e Dugasit: është 185 cm i gjatë, peshon 97 kg dhe ka një tatuazh në qafë.
Autoritetet i kanë bërë thirrje publikut që nëse e shohin apo kanë informacion për vendndodhjen e tij, të telefonojnë menjëherë numrin emergjent 911.
Top Channel