“Ashtu e ka ai”/ Albanese s’e vë ‘ujin në zjarr’ për komentet e Netanyahut: Nuk marr asgjë personale

20/08/2025 12:59

Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese u shfaq i pashqetësuar nga agresiviteti që reagoi kundrejt tij homologu izraelit Benjamin Netanyahu.

Nuk i marr personale këto gjëra, unë angazhohem me njerëzit në mënyrë diplomatike. Ai ka thënë gjëra të ngjashme edhe për udhëheqës të tjerë”, shprehet Anthony Albanese, kryeministër i Australisë.

Përplasjet personale mes Netanyahut ndaj Albaneses i kanë përkeqësuar edhe më shumë raportet mes dy vendeve. Raportet u tensionuan pasi Australia javën e kaluar vendosi që të njohë shtetin palestinez gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që do të mbahet në shtator.

“Historia do ta kujtojë Albanesen për atë që është: një politikan i dobët i cili tradhtoi Izraelin dhe braktisi hebrenjtë e Australisë”, tha Netanyahu përmes një postimi në X një ditë më parë. Albanese u tha gazetarëve se e kishte informuar Netanyahun më parë për këtë vendim të qeverisë që përpara se ai të merrej.

“I dhashë kryeministrit Netanyahu indikacione të qarta se cili do të ishte qëndrimi im dhe qëndrimi i Australisë në të ardhmen, por i dhashë edhe indikacione të qarta për rrugën në të cilën jemi nisur”, tha Albanese.

“Ia dhashë mundësinë të tregonte se çfarë mundësie ka për zgjidhje politike për këtë çështje”, shtoi ai. Australia nuk është e vetme në këtë nismë të saj, pasi edhe shtete të tjera si Franca, Britania dhe Kanadaja kanë njoftuar më herët se do të njohin një shtet palestinez.

Në një gjest qartazi shpagues, Izraeli revokoi më herët vizat për diplomatët australian në Autoritetin Palestinez, pasi Qeveria e Australisë anuloi vizën për një ligjvënës izraelit lidhur me deklaratat e tij që i konsideroi nxitëse dhe kundërthënëse.

 

 

 

Top Channel