Analiza nga CNN: Plani i Izraelit për vendbanimet në Bregun Perëndimor mund të “varrosë” perspektivën e një shteti palestinez. Ja pse

20/08/2025 14:25

Izraeli ka dhënë miratimin përfundimtar për një plan tepër të diskutueshëm që parashikon ndërtimin e mijëra njësive të reja banimi në zonën e pushtuar të Bregut Perëndimor, një lëvizje që praktikisht ndan territorin palestinez në dy pjesë dhe bllokon mundësinë e një shteti të vazhdueshëm palestinez.

Plani për ndërtimin në zonën E1, në lindje të Jerusalemit, ka qenë i ngrirë për dekada për shkak të kundërshtimeve të forta ndërkombëtare. Ndërtimi atje do të lidhte Jerusalemin me vendbanimin hebraik të Maale Adumim, duke e bërë të pamundur krijimin e një kryeqyteti palestinez në Jerusalemin Lindor, një element kyç për zgjidhjen me dy shtete.

Megjithatë, ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, e konfirmoi projektin dhe deklaroi hapur se ky është synimi i tij: të eliminohet përfundimisht mundësia e një shteti palestinez. “Shteti palestinez po hiqet nga tryeza jo me slogane, por me veprime,” u shpreh ai në një deklaratë për mediat.

Smotrich e paraqiti vendimin si një përgjigje ndaj vendeve që kanë shpallur synimin për të njohur shtetin palestinez. Qeveria e Benjamin Netanyahut ka refuzuar kategorikisht çdo mundësi për shtetësi palestineze – një qëndrim i përforcuar edhe në një rezolutë të miratuar nga Knesseti izraelit në vitin 2024.

Ai ka kërkuar vazhdimisht që Izraeli të aneksojë plotësisht Bregun Perëndimor dhe të zbatojë sovranitetin izraelit mbi të gjithë territorin.

Çfarë është projekti E1 dhe pse është kaq i ndjeshëm?

Vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor janë qytete dhe komunitete hebraike të ndërtuara mbi toka që sipas OKB-së dhe shumicës së komunitetit ndërkombëtar i përkasin një shteti të ardhshëm palestinez.

Projekti E1, që ka qenë i ngrirë për vite me radhë, është veçanërisht problematik pasi ai do të ndajë në mënyrë gjeografike Bregun Perëndimor, duke e bërë praktikisht të pamundur krijimin e një shteti palestinez të pandarë.

Smotrich njoftoi javën e kaluar miratimin e 3.401 njësive të reja banimi në këtë zonë. “Ata flasin për ëndrrën palestineze, ndërsa ne ndërtojmë realitetin hebraik,” tha ai. “Ky realitet do ta varrosë përgjithmonë idenë e një shteti palestinez, sepse s’ka asgjë për të njohur.”

Reagimet ndërkombëtare dhe rajonale

Plani ka shkaktuar reagime të ashpra nga autoritetet palestineze dhe organizatat ndërkombëtare.

Kreu i Këshillit Kombëtar Palestinez, Rawhi Fattouh, e cilësoi këtë vendim si një “plan sistematik për të grabitur tokat, për t’i judaizuar dhe për të imponuar narrativa biblike dhe talmudike mbi konfliktin.”

Organizata izraelite “Peace Now” e quajti projektin “vdekjeprurës për të ardhmen e Izraelit dhe për çdo shans për paqe”. Në deklaratën e saj thuhej: “Qeveria po na çon drejt greminës me shpejtësi të plotë. Zgjidhja është krijimi i një shteti palestinez përkrah Izraelit – dhe kjo zgjidhje do të vijë, por qeveria po na e bën gjithnjë e më të pamundur.”

Organizata tjetër izraelite “Ir Amim” paralajmëroi se ndërtimi në E1 do të përforcojë përhershmërinë e okupimit izraelit dhe do të krijojë një “realitet aparteidi”. Ajo shtoi se ndërtimi do të sjellë përkeqësim të kushteve ekonomike dhe sociale për palestinezët, duke rritur rrezikun e paqëndrueshmërisë dhe dhunës.

Ministri i Jashtëm britanik, David Lammy, tha se Mbretëria e Bashkuar “e kundërshton fuqishëm” planin dhe e quajti atë “shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar”.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, i kërkoi Izraelit ta ndalojë menjëherë ndërtimin. Ajo paralajmëroi se kjo lëvizje “minon edhe më tej zgjidhjen me dy shtete” dhe po nxit tensione të reja në terren.

SHBA shmang dënimin publik

Ndryshe nga BE dhe Britania, Departamenti i Shtetit Amerikan nuk dënoi publikisht planin për ndërtim në E1. Në një deklaratë për CNN, një zëdhënës i departamentit tha se SHBA mbështet stabilitetin në Bregun Perëndimor dhe shtoi: “Një Breg Perëndimor i qëndrueshëm mbron sigurinë e Izraelit dhe është në përputhje me qëllimin tonë për paqe në rajon.”

Zëdhënësi theksoi gjithashtu se prioritet i SHBA mbetet përfundimi i luftës në Gaza, lirimi i pengjeve dhe ndihma humanitare.

A është kjo e ligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare?

Sipas së drejtës ndërkombëtare, vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor janë të paligjshme. Këshilli i Sigurimit i OKB-së e konfirmoi këtë në vitin 2016 përmes Rezolutës 2334, duke i cilësuar ndërtimet në territoret e pushtuara si “shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare” dhe “pa asnjë vlefshmëri ligjore”.

Megjithatë, këto rezoluta kanë pasur pak efekt në terren. Gjatë presidencës së Donald Trump, SHBA e ndryshoi politikën e saj dhe deklaroi se vendbanimet “nuk janë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”. Administrata Biden nuk e ka përmbysur këtë politikë.

Pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, qeveria izraelite ka përshpejtuar ritmin e ndërtimit të vendbanimeve. Në maj, Izraeli miratoi zgjerimin më të madh të vendbanimeve që nga Marrëveshjet e Oslos, me ndërtimin e 22 vendbanimeve të reja, përfshirë edhe në zona ku më parë ishte tërhequr.

Top Channel