Analiza e CNN: Pse Putini nuk është gati të takohet me Zelenskyn dhe mund të mos jetë kurrë?

20/08/2025 10:49

Pas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë për një takim të ardhshëm mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky, përgjigjja e Moskës ka treguar se marrëveshja është larg të qenurit konkrete.

Kremlini la të kuptohet se nuk ka vendosur ende për një takim të nivelit më të lartë. Ndihmësi i Putinit, Yury Ushakov, tha se diskutimi i mundshëm për të rritur nivelin e përfaqësuesve ishte në konsideratë, por pa përmendur emrat e udhëheqësve dhe pa garanci që kjo do të përfshinte presidentët.

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, mori një ton më të butë duke thënë se Rusia nuk refuzon “forma të punës – as dypalëshe as tripalëshe”, por paralajmëroi se çdo kontakt me zyrtarë të lartë duhet të përgatitet me kujdes.

CNN thekson se kjo nuk është surprizë. Lufta filloi nga Putini pas njohjes njëanshme të pjesëve të Donetsk dhe Luhansk si republika të pavarura dhe retorika e tij historike e kulturale e lidh Ukrainën me Rusinë e bën të vështirë pranimin e një dialogu të barabartë me Zelensky-n.

Ekspertët e analizës politike, përfshirë Orysia Lutsevich nga Chatham House, thonë se takimi, nëse ndodh, do të ishte një ndryshim dramatik i qëndrimit, të vështirë për t’u shpjeguar popullit rus, i cili është ekspozuar përmes propagandës ndaj Ukrainës dhe presidentit të saj.

Sipas Tatiana Stanovaya, Putini mund të pranojë një takim vetëm nëse ka shanse reale për të arritur qëllimet e tij, përfshirë presionin ndaj Ukrainës për t’u bërë më fleksibile, ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara. Aktualisht, Zelensky ka refuzuar kërkesat kyçe të Rusisë, të cilat përfshijnë dhënien e territoreve ende nën kontroll ukrainas.

Ndërsa presidenti amerikan Donald Trump postoi në rrjetin Truth Social se kishte nisur përgatitjet për takim, situata është komplekse dhe Putini nuk ka arsye të pranojë pa marrë asgjë. Rusia, ndërkohë, ka vazhduar ofensivën me 270 dronë dhe 10 raketa mbi qytete ukrainase të hënën në mbrëmje, duke treguar se presioni ushtarak mbetet një alternativë e fuqishme.

Analiza e CNN tregon se me gjithë deklaratat publike dhe përpjekjet diplomatike, shanset për një takim real dhe efektiv mes dy presidentëve mbeten të ulëta, dhe e ardhmja e negociatave duket më shumë një lojë strategjike sesa një kompromis i vërtetë.

Top Channel