Aksident i rëndë! Të dëbuar nga Irani, 73 afganë të vdekur, mes tyre 17 fëmijë

20/08/2025 11:29

Një aksident tragjik trafiku në Afganistanin perëndimor ka marrë jetën e 73 personave, përfshirë 17 fëmijë, shumica prej të cilëve ishin shtetas afganë të dëbuar nga Irani.

Ngjarja e rëndë ndodhi të martën mbrëma, kur autobusi që po udhëtonte drejt Kabulit u përplas me një kamion dhe një motorçikletë në provincën Herat, duke shpërthyer më pas në flakë. Sipas autoriteteve talebane, të gjithë pasagjerët që ndodheshin në autobus kanë humbur jetën, si dhe dy persona nga mjetet e tjera të përfshira në aksident.

Pasagjerët ishin emigrantë të dëbuar nga Irani, të cilët kishin hipur në autobus në qytetin kufitar Islam Qala,” deklaroi për AFP zëdhënësi i guvernatorit të provincës, Mohammad Yousuf Saeedi.

Policia e Heratit fajësoi drejtuesin e autobusit për “shpejtësi të lartë dhe neglizhencë,” shkruan AFP. Aksidentet rrugore janë të shpeshta në Afganistan, për shkak të infrastrukturës së dëmtuar nga dekada konfliktesh dhe mungesës së zbatimit të rregullave të qarkullimit.

Në muajt e fundit, Irani ka rritur ndjeshëm dëbimet e shtetasve afganë pa dokumente, të cilët janë larguar nga vendi për shkak të konflikteve dhe krizës humanitare. Sipas Kombeve të Bashkuara, që prej janarit mbi 1.5 milion afganë janë larguar nga Irani, përfshirë edhe persona që kanë jetuar atje për gjenerata.

Pas një përplasjeje të shkurtër me Izraelin në qershor, autoritetet iraniane kanë intensifikuar dëbimet, duke i justifikuar me “arsye sigurie kombëtare”. Megjithatë, kritikët akuzojnë Teheranin për përdorimin e afganëve si kokë turku për dështimet e brendshme të sigurisë.

Ekspertët paralajmërojnë se Afganistani, nën udhëheqjen e talebanëve, nuk ka kapacitet për të përballuar këtë numër të madh të të kthyerve, ndërkohë që vendi përballet me mungesë të ndihmave dhe një valë tjetër të dëbimeve nga Pakistani.

Rikthimi i kaq shumë njerëzve po krijon një presion shtesë mbi burimet tashmë të kufizuara. Kjo valë e re refugjatësh po vjen në një moment kur vendi po ndjen pasojat e thella të prerjes së ndihmave ndërkombëtare,” deklaroi Arshad Malik, drejtor i Save the Children në Afganistan.

Aksidenti tragjik ka tronditur opinionin publik dhe ka rikthyer vëmendjen tek kriza humanitare me të cilën përballen afganët e dëbuar dhe sistemi i brishtë i transportit në vend.

Top Channel