Zvicra: Jemi të gatshëm të presim bisedimet për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës

19/08/2025 20:51

Zvicra është e hapur për të pritur bisedimet për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës, madje edhe me pjesëmarrjen e presidentit rus Vladimir Putin, deklaroi ministri i Jashtëm zviceran Ignazio Cassis në një intervistë për CNN.

“Jemi të gatshëm për një takim të tillë dhe jemi mirënjohës për besimin që na është dhënë,” tha Cassis në kuadër të një konference diplomatike në Bernë. “Ne gjithmonë kemi shprehur vullnetin tonë, por gjithçka varet nga gatishmëria e fuqive të mëdha.”

Ai shtoi se, nëse Presidenti Putin do të merrte pjesë në ndonjë takim në Zvicër, qeveria zvicerane do të ndërmerrte masa të veçanta për shkak të urdhërarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) ndaj tij.

“Ne e kemi sqaruar situatën ligjore,” u shpreh Cassis. “Mund të organizojmë një takim të tillë dhe dimë çfarë duhet bërë për të siguruar mbarëvajtjen. Kjo është e mundur për shkak të rolit tonë të veçantë dhe rolit të Gjenevës si seli evropiane e OKB-së.”

Ministria e Jashtme zvicerane, në një deklaratë për agjencinë shtetërore ruse RIA Novosti, tha se “Zvicra është e gatshme të ofrojë shërbimet e saj nëse ato janë të dobishme dhe të dëshiruara nga të gjitha palët. Kjo përfshin rolin si mikpritëse ose ndërmjetëse në zhvillimin e diskutimeve dhe takimeve.”

Top Channel