
Edhe pse ende nuk mund të flitet për arritjen e armëpushimit dhe paqes në Ukrainë, takimet në Shtëpinë e Bardhë konsiderohen si pozitive e i dhanë Europës arsye për të marrë pak frymë lirisht.
Tani Putini duhet të deklarohet nëse është për paqe apo vazhdimin e luftimeve dhe nëse është i gatshëm për bisedimet me Ukrainën. Kështu u shprehën shumica e pjesëmarrësve të përballjeve me presidentin Donald Trump. Fryma ishte shumë më miqësore sesa herën e kaluar, kur Trumpi u duk sikur praktikisht e dëboi Zelenskyn nga Shtëpia e Bardhë. Pjesëmarrësit diskutuan shumë çështje të ndryshme, kritike.
Sipas vëzhguesve, Trump dhe Zelensky thuhet se kanë shqyrtuar edhe hartat, ndoshta për të diskutuar vijën e frontit. Megjithatë, sipas Kancelarit gjerman Merz, lëshimet territoriale nuk u diskutuan si temë e veçantë. Lëshimet nuk duhet t’i imponohen në asnjë rrethanë Ukrainës, theksoi ai në një konferencë për shtyp më vonë.
Territori i pretenduar nga Rusia është afërsisht sa madhësia e Floridës, krahasoi kreu i qeverisë gjermane, për të ilustruar gjendjen. Sa i takon garancive të sigurisë, DW thotë se ato mund të jenë të ngjashme me klauzolën e ndihmës së ndërsjellë të Nenit 5 të NATO-s, që nënkupton ndërhyrjen e të gjitha shteteve anëtare në rast të ndonjë sulmi nga jashtë. Garancitë janë thelbësore për Zelenskyn dhe duhet të jenë të besueshme për të penguar Moskën nga sulme të mëtejshme pas një marrëveshjeje të mundshme.
Presidenti amerikan Trump tha se Amerika mund të jetë pjesëmarrëse në këto garanci, që ishte shumë me rëndësi. Por këtu nuk ka ndonjë përparim shumë konkret. Ndërsa presidenti i Ukrainës – i mbështetur nga partnerët e tij evropianë – vazhdon të bëjë thirrje për armëpushim, Trump deri më tani i është përmbajtur.
Ai thotë se marrëveshja mund të arrihet edhe pa armëpushim paraprak. Ndërkohë, liderët europianë shfaqën një front të bashkuar në krah të Zelenskyt dhe duan që ai të përgatitet sa më mirë për një takim të mundshëm trepalësh, duke iu kundërvënë kështu imazheve të dyshimta të Trump dhe Putin në Alaska – me një paraqitje të përgatitur mirë dhe në dukje unike në Uashington.
Top Channel