Supergoli në fundjavë nuk i mjafton Bajramit, trajneri i Rangers-it merr vendimin drastik për yllin e Kombëtares shqiptare

19/08/2025 11:34

Ylli i Kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami, nuk është përfshirë në listën e Rangers për ndeshjen e “Play Off” të Champions League kundër Club Brugge.

Vendimi i trajnerit ka hapur shumë pikëpyetje në Skoci, teksa disa e shohin si një zgjedhje thjesht teknike, ndërsa të tjerë e interpretojnë si një sinjal për të ardhmen e tij.

Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pasi Bajrami shkëlqeu në Kupë, duke realizuar një supergol që bëri xhiron e rrjeteve sociale, duke treguar formë dhe besim përpara nisjes së sezonit. Megjithatë, pavarësisht paraqitjes së tij, emri i tij nuk figuron në listën evropiane të Rangers.

Media lokale spekulon se lojtari mund të mos jetë më në planet afatgjata të klubit, ndonëse ende nuk ka një qëndrim zyrtar mbi të ardhmen e tij. Për momentin, burime pranë Rangers insistojnë se bëhet fjalë për një vendim të pastër teknik, i marrë nga stafi drejtues.

Bajrami, i cili u transferua në Skoci për të dhënë një kontribut të rëndësishëm, ka kontratë aktive me klubin, por situata e tij mbetet për t’u ndjekur nga afër në ditët në vijim.

Top Channel